Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka reaguar pas përplasjes së djeshme me një nga asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për të cilën rast është dashur ndërhyrja e Policisë.
Përmes një postimi në Facebook, Bulliqi ka sqaruar situatën e krijuar gjatë seancës së Kuvendit Komunal të Podujevës.
Ai thekson se përplasja kishte të bënte me një kërkesë të LDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komitetin për Komunitete, por që nuk u miratua nga shumica në Kuvend.
Bulliqi akuzoi përfaqësuesit e LDK-së për sjellje të papranueshme dhe përpjekje për të imponuar kërkesat e tyre, pavarësisht mungesës së mbështetjes nga shumica.
“LDK tentoi të impononte mendimin e saj edhe me dhunë, duke shkaktuar tensione dhe penguar vazhdimisht seancën,” shkroi Bulliqi, duke shtuar se asamblisti i LDK-së, Ekrem Rrahmani, kishte provokuar dhe kërcënuar për një përplasje fizike.
“Asamblisti Rrahmani pasi kishte drejtuar akuza, fyerje e shpifje ndaj meje, erdhi në drejtim timin duke kërkuar që të dalim jashtë për t’i çëruar hesapet. Kaq mjafton për të parë nivelin e tij prej përfaqësuesi të popullit, që në mungesë të argumenteve tentojnë të sulmojnë fizikisht”, shtoi Bulliqi.
Ai ka konfirmuar se ka lajmëruar rastin në Polici dhe pret që organet e drejtësisë të marrin masa lidhur me këtë incident.
Bulliqi gjithashtu nënvizoi se përplasja nuk kishte të bënte vetëm me anëtarin e Komitetit, por se tensionet ishin shkaktuar edhe nga projektet e mëdha që po realizohen nga komuna, të cilat sipas tij po pengojnë LDK-në.
Në fund të reagimit, Bulliqi i bëri thirrje LDK-së që të vazhdojë shpifjet dhe viktimizimet e saj, ndërsa ai dhe ekipi i tij do të vazhdojnë të punojnë për realizimin e projekteve në dobi të qytetarëve./Telegrafi/