Site icon Telegrafi

Përmbyten shtëpitë pasi raketat ruse goditën një digë në Ukrainë

Raketat ruse kanë goditur një digë rezervuari pranë qytetit jugor të Ukrainës, Kryvyi Rih, thonë zyrtarët.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, banorëve në disa zona iu tha të evakuoheshin, tha kreu i qytetit Oleksandr Vilkul, por ai shtoi se situata ishte nën kontroll.

Ukraina tha se sulmi ishte hakmarrje nga Rusia për kundërsulmin e saj të fundit.

Presidenti Volodymyr Zelensky – i cili është lindur në qytet – e përshkroi Rusinë si një “shtet terrorist” pas sulmit në rezervuarin Karachunivske.

“Ju jeni të dobët që luftoni civilët”, tha Zelensky në fjalimin e tij të mërkurën vonë natën. “Të poshtër që, pasi janë arratisur nga fusha e betejës, po përpiqen të bëjnë dëm nga diku larg”.

Kjo ishte një referencë e dukshme për sukseset e fundit ushtarake të Ukrainës në një kundërofensivë të shpejtë në rajonin verilindor të Kharkiv të vendit. Ushtria e Ukrainës ka rimarrë pjesë të territorit të pushtuar, duke i detyruar trupat ruse të tërhiqen.

Në fjalimin e tij, Zelensky tha se rezervuari “nuk kishte fare vlerë ushtarake”.

Vilkul tha se gjatë natës u kryen dy shpërthime për të rritur rrjedhën e ujit nga diga në lumin Inhulets.

Furnizimi me ujë u prek nga sulmi në qytet, i cili kishte një popullsi paraluftës prej më shumë se 600,000 njerëz.

Uji depërtoi përmes digës dhe vërshoi brigjet e lumit, duke përmbytur disa shtëpi, thanë zyrtarët.

Të enjten në mëngjes, Vilkul tha se nivelet e ujit në lumin Inhulets tani “kanë rënë ndjeshëm”. Ai tha se nuk kishte viktima. /Telegrafi/

Exit mobile version