Data 8 maj e këtij viti ishte më ndryshe se zakonisht për rap-artisten e njohur shqiptare, Loredana Zefi.
E kërkuar nga zvicerane për tu deklaruar rreth një akuze të rëndë, reperja me prejardhje nga Ferizaji përfundoi në të gjitha titujt e gazetave zvicerane dhe atyre shqiptare.
Aludimet e një çifti për vjedhje nga rap-artisja në bashkëpunim me familjarët e saj ishin detajet e kësaj historie.
Telegrafi ju sjell një përmbledhje ekskluzive të historisë më të përfolur këtë vit në showbizin shqiptar.
Si nisi gjithçka?
Gazeta e njohur zvicerane “20 minuten”, kishte raportuar e para se një çift zviceran kishte akuzuar atë dhe vëllanë e saj, Beratin (emër i konvertuar nga gazeta), për vënie në lajthitje, kërcënim dhe zhvatje të parave deri në 900 mijë franga zvicerane.
Një kupon fiskal për transaksionet e kryera në Kosovë ishte dëshmi se paratë po deponoheshin në llogarinë e Loredana Zefit.
“Kisha frikë nga ajo. Nuk e di se çfarë është në gjendje të bëjë ajo grua. Na thoshte vazhdimisht t’i shlyejmë bisedat në rrjete sociale dhe na kërcënonin se nëse s’i ndiqnim instruksionet e tyre, s’do t’i merrnim paratë kurrë”, kishte rrëfyer e dëmtuara Petra Z. për “20 minuten”.
E njëjta më pas kishte vënë në pah një tjetër akuzë të rëndë, duke potencuar se të kërkuar nga artistja, çifti duhej të merrnin me qira vetura të shtrenjta, të tilla që as qeveritarët e lartë të Zvicrës nuk i vozitin.
Sipas tyre, Loredana i merrte veturat dhe nuk i kthente kurrë në kohë, teksa njërën prej tyre Policia Zvicerane kishte gjetur njëherë njërën nga veturat në aeroportin e Cyrihut, dhe më pas të njëjtën ia kishte kthyer kompanisë qiradhënëse të njohur si AVIS.
Përkundër faktit që Loredana ka mohuar të ketë vozitur veturat BMW dhe Porsche, mirëpo një nga fotografitë e radarit policor në Zvicër ka kapur momentin kur pikërisht 23-vjeçarja kapet duke vozitur një veturë të tillë.
Reagimet
Me tu bërë publike kjo “aferë e aluduar”, Loredana dhe partneri i saj, reperi Mozzik, bllokuan të gjitha llogaritë në rrjetet sociale, duke mos bërë as edhe një reagim të vetëm.
Ndërkohë, ishte reperi Getinjo (vëllai i Mozzikut), ai i cili përmes një statusi në InstaStory kishet shkruar se e gjithë kjo ngjarje është e sajuar për të prishur integritetin e tyre.
“Ju dushmanët keni qef me ndodh qashtu qysh flitet, ama ngadalë mos i jepni zor se mundeni me u dh**. S’keni faj se asi shifra keni parë veç në kalkulatorë e askund tjetër. Gjithmonë të fortin e sulmojnë”, kishte shkruar Getinjo në InstaStory.
Ndërkohë, i kontaktuar nga Telegrafi, vëllai i Loredanës i përmendur gjithashtu në këtë ngjarje, kishte mohuar tërësisht këto akuza.
“Jo, nuk ka asgjë të vërtetë, të gjitha janë manipulime dhe budallallëqe, këto akuza ndaj meje dhe motrës sime nuk qëndrojnë”, ishte prononcuar Bekim Zefi për Telegrafin.
Një deklaratë të tillë dhe edhe më demantuese e kishte thënë edhe vëlla i madh i Loredanës, Arsim Zefi, emri i së cilit në disa media ishte konvertuar në Agon për ruajtjen e integritetin.
“E gjithë kjo ngjarje është manipulim. Kanë keqpërdorur edhe emrin e gruas time, e cila punon prej një kohe të gjatë për ambasadat, dhe nuk ka të bëjë me këtë rast. Imazhi jonë është dëmtuar dhe mendoj se e gjitha kjo ka qenë e qëllimshme”, kishte deklaruar Arsim Zefi ekskluzivisht për Telegrafin.
I njëjti i cili në disa media ishte përmendur si marrës i parave të Loredanës me qëllim rimëkëmbjen e biznesit të tij që kinse po falimentonte, kishte treguar një thashethem i tillë ishte komplet absurd.
“Janë munduar të më njollosin edhe biznesin, duke përfolur se një pjesë e plaçkitjes kinse më ishte dhuruar mua për të shpëtuar nga falimentimi, por e vërteta është se unë kurrë nuk kam qenë në falimentim. Merrem prej shumë vitesh me biznes në Zvicër dhe gjithçka më ka shkuar mirë. Më ka goditur vetëm prishja e reputacionit tim”, kishte treguar më tej Zefi për Telegrafin.
Një reagim lidhur me këtë ngjarje e kishte bërë edhe menaxheri i labelit “ON Records”, Met Elshani – label ky në të cilin dikur bënin pjesë Mozzik dhe Getinjo.
“Jo thosha nuk më besonit, që këta njerëz marre janë, horë ta bëjnë një komb”, kanë qenë fjalët e tij, ishin fjalët e tij.
Akuzë nga ish-shoqja e ngushtë
Kjo ngjarje nxori edhe një tjetër histori në pah – një akuzë e rëndë nga një e ish-shoqeve të Loredanës, e cila përmes Instagramit deklaroi se edhe ajo ishte mashtruar gjithashtu nga rap-artistja nga Ferizaji.
“Loredana dhe vëllai i saj Qëndrimi më kanë mashtruar”, ka deklaruar 23 vjecarja për mediumin zviceran. “Askush s’e njeh Loredanën e vërtetë, ka thënë ajo”, kishte thënë Dorentina V. – dikur mikeshë e ngushtë e saj.
“Loredana më detyrohej edhe 300 euro sepse më kishte premtuar që do të paguante për biletën time të aeroplanit si fotografe personale”, por në fakt nuk e kishte bërë kurrë.
Ndërkohë, Zefi, në konferencën e mbajtur në Prishtinë më datë 10 maj, e pyetur nga gazetarët kishte pyetur se ku ka qenë deri më tani kjo shoqe që ka pasur akuza ndaj saj.
“Unë e kam një pyetje për atë vajzën. Ku ke qenë deri më tani nëse të kam vjedhur? Pse s’ke raportuar?”, ka pyetur biondina duke mos dashur të vazhdojë bashkëbisedimin më tej.
Konferenca për media
Të premten e 10 majit, rap-artistja nga Ferizaji vendosi që bashkë me partnerin e saj, reperin Mozzik, dhe avokatët e saj të mbajnë një konferencë për media në “Hotel Emerald” në Prishtinë.
Avokati Tomë Gashi ishte i përzgjedhur i Loredanës për tu marrë mbi rastin, gjersa në Zvicër ajo ka angazhuar Artan Sadikun, i cili gjithashtu ishte prezent në konferencë.
Rap-artistja nga Ferizaji e nisi rrëfimin e saj duke treguar se arsyeja e vërtetë e ardhjes në Kosovë ishte fillimisht xhirimet për klipin e ri, që do ta publikojë së shpejti.
“Për fillim deshta të them që në Kosovë kam ardhur për të xhiruar klipin e ri, pas përfundimit të videoklipit do kthehem prapë në shtëpinë time në Zvicër më bashkëshortin dhe vajzën time, Hanën”, tha ajo
Ajo shtoi se ngjarja kishte nisur në vitin 2016, ndërsa tani ka marrë kahje krejt tjetër në dëm të sajin.
“Kjo gjë ka filluar në 2016, ku unë nuk kam qenë e involvuar, dhe nuk kam ditur asgjë për këtë rast. Në 2018, disa anëtarë të familjes Zefi kanë qenë në këtë punë brenda, dhe më kanë treguar që në 2018 është mundësia me e mbyllë këtë rast. Unë nuk e di çfarë kanë bërë këta persona mes vete, pse nuk është mbyllur ky rast, por në 2018 kur unë e kam marrë vesh këtë rast, kam qenë në gjendje t’u ndihmojë, dhe palës time. Familja ime është mbi të gjitha, se nuk më intereson asgjë kur është pyetja për familjen time. Do jem me ta në kohë të mira dhe të vështira. Rasti do të sqarohet, dhe fjalët do të ndryshojnë”, ka thënë Loredana Zefi.
“Është e vërtetë që kamë dhënë deklaratë në polici, por unë e mbyllur nuk kam qenë asnjëherë. Kam dhënë deklaratën, dhe prokurori më ka lejuar të shkojë në shtëpi tek vajza ime, për ta vazhduar jetën ashtu siç kam bërë një ditë më parë. Arsyeja pse unë kam ardhur këto ka qenë se paratë nuk janë marrë me dhunë, mashtrime, kërcënime, dhe pala tjetër e ka pranuar dhe e ka bërë me plotë dëshirën e saj”, ka vazhduar ajo më tej.
Ndërkohë, Mozzik i cili përgjatë gjithë kohës i qëndroi pranë partneres së tij, deklaroi se gjithashtu i vjen keq për situatën e krijuar dhe që ka marrë një jehonë të tillë.
“Loredanën e kam grua dhe çka do që ndodhë unë jam bashkëshorti i saj. Jam në përkrahje të saj, gjithashtu i ka dhe avokatët, dhe çdo gjë do të sqarohet. Është tepruar nga mediat, pa e ditur se çfarë ka ndodhur”, ka thënë reperi nga Ferizaji, duke e përmbylli bisedën e tij me një urim për Muajin e Shenjtë të Ramazanit.
Përgjatë gjithë kohës që dyshja kanë folur, edhe avokati Tomë Gashi ka mbështetur vazhdimisht Loredanën, duke potencuar se ajo është e pastër dhe se e vërteta pritet të dalë së shpejti në shesh.
“Rasti po trajtohet si rast civil, Loredana është tërësisht e pastër, ndërsa sa i përket imazhit mund të themi se nëse shqiptarët fliten për gjëra të tilla, atëherë normal që do të krijohet imazh i keq. Mirëpo ky nuk është rasti i Loredanës. Publicitet të dëmshëm nuk ka, ndaj unë mendoj se Loredanës vetëm sa i është rritur publicitetit”, ka thënë ndër të tjerash avokati Tomë Gashi.
Ndërkohë, në bisedë e sipër, Loredana u ngrit edhe në këmbë e acaruar teksa përgjigjej në një prej pyetjeve të gazetarit.
Ajo foli gjerë e gjatë duke treguar se në Gjermani mediat kanë treguar respekt për të duke e cilësuar si një yll, ndryshe nga ato zvicerane të cilat kanë shfrytëzuar rastin për t’i prishur imazhin, mirëpo edhe para kësaj ndodhie janë marrë vetëm me jetën e saj personale.
Me të mbyllur konferencën për media në Prishtinë, rap-artistja Loredana Zefi u nis për të bërë atë edhe çfarë kishte paralajmëruar – xhirimet e klipit të ri.
Këtë gjë e bëri të ditur përmes disa imazheve të hedhur në InstaStory, gjersa rasti i është besuar duarve të drejtësisë. /Telegrafi/