Nga mbledhjet në institucione dhe debatet televizive, Lëvizja Vetëvendosje e ka bartur kundërshtimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi edhe në terren.
Deputetë dhe aktivistë të këtij subjekti politik opozitar, në orët e hershme të mëngjesit, ia kishin mësyrë rrugës Kullë – Rozhajë, në kufirin me Malin e Zi, raporton KTV.
Në pikën më të skajshme të territorit të Kosovës në Kullë, ata kanë vendosur një flamur kombëtar shqiptar dhe një tabelë me mbishkrimin “Republika e Kosovës: Mirë se vini” shkruar në shqip, serbisht dhe anglisht.
Deputeti Albin Kurti ka thënë se si përfaqësues politikë të popullit, ai dhe deputetët e tjerë të Vetëvendosjes nuk mund të pranojnë që kufiri me Malin e Zi të tërhiqet me kilometra të tëra brenda territorit të Kosovës.
Kurti dhe deputetët e tjerë thanë se këtë pllakë po e vendosin aty ku dikur kishte qenë i shenjuar kufiri nga UNMIK-u, ndërkohë që u ankuan për zhvendosjen e pikës kufitare 8 kilometra në thellësi të territorit kosovar.
Kurti deklaroi që vendosja e kësaj tabele është një alarm para përpjekjes së pushtetit për ta ratifikuar marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi në Kuvend.
Se vija kufitare me Malin e Zi është lëvizur për disa kilometra brenda Kosovës, e dëshmon edhe Zymber Avdimetaj nga Strellci, stani i të cilit, sipas marrëveshjes së 26 gushtit, mbetet në Mal të Zi.
Ai rrëfen për shenjat kufitare të mbetura nga shenjimi i bërë prej KFOR-it italian.
Përplasjet mes opozitës dhe pushtetit në lidhje me marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi, pritet të arrijnë kulmin kur kjo marrëveshje të shkojë për ratifikim në Kuvend.