Pas një tronditje në 14 minutat e parë të takimit në Anfield, Real Madridi i tregoi Liverpoolit se përse janë kampionë në fuqi të Evropës të martën mbrëma.
Golat nga Vinicius Junior dhe Karim Benzema, së bashku me një tjetër nga Eder Militao siguruan që Los Blancos të kalonin 5-2 në epërsinë e tyre, në ndeshjen e dytë të së tetës së finales që luhet në Santiago Bernabeu pas tri javësh.
Golat e hershëm të Darëin Nunez dhe Mohamed Salah i befasuan paksa mbretërit, por lojtarët e Carlo Ancelottit refuzuan të dëshpëroheshin, gjë që e kënaqi shumë italianin.
“Nuk ishte e lehtë, veçanërisht duke parë se si filloi ndeshja. Nuk e humbëm besimin dhe pak nga pak morëm topin në kontroll dhe ishim gjithmonë efektivë në sulm”, deklaroi Ancelotti.
“Ndeshja e parë e këtij takimi shkoi mirë, dhe në ndeshjen e dytë, ne duhet të mendojmë se duhet të luftojmë dhe të vuajmë”.
Pavarësisht epërsisë së tyre me tri gola, dhe me ndeshjen e kthimit në Bernabeu, Ancelotti këmbëngul se ndeshja është larg përfundimit.
“Nuk është kryer. Liverpooli vuajti në pjesën e dytë, por në pjesën e parë pësuam ne. Në përgjithësi, jam i kënaqur sepse loja ishte e mirë”, ka shtuar më tej italiani.
Real Madrid ka një tjetër lojë të madhe, pasi pret rivalët e qytetit Atletico Madridin në La Liga të shtunën. /Telegrafi/