Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar sot heroin Enver Zymberi në 12-vjetorin e rënies.
Osmani shkruan se 12 vjet më parë polici Enver Zymberi ra në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës.
“Sot e nderojmë guximin dhe sakrificën e heroit. Ai ishte mishërim i përkushtimit, guximit dhe vetëmohimit.
Atij, sikurse edhe të gjithë policëve të rënë në detyrë u përkulemi për kontributin e çmuar për sigurinë tonë në çdo cep të vendit.
Sikurse atëherë, ashtu edhe sot, Policia e Kosovës janë mbrojtësit e palëkundur të kufijve të shtetit tonë nga agresioni i vazhdueshëm i Serbisë, prandaj ata duhet jo vetëm të respektohen por edhe të vlerësohen e mbështeten maksimalisht për punën dhe sakrificën e tyre”, shkruan Osmani. /Telegrafi/