Telegrafi

Përkujtohen ish-aktivistët Mon Balaj e Arben Xheladini, Kurti: As sot, as nesër askush nuk mund të ketë imunitet nga drejtësia

Më 10 shkurt të këtij viti janë bërë 17 vjet prej vrasjes së ish-aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mon Balaj e Arben Xheladini.

Kryeministri i vendit Albin Kurti, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, e krerë të tjerë të LVV-së sot kanë bërë homazhe tek pllaka përkujtimore e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.

Kurti pas homazheve në një prononcim për media ka thënë se në atë protestë paqësore u shkrepen 232 plumba gome me afat të skaduar dhe të keqpërdorura jashtë protokolleve të OKB-së.

“Sot me 10 shkurt ne i përkujtomë me mall e dhimbje por edhe me krenari, Mon Balaj e Arben Xheladini, dy aktivistë të VV-së të cilët u vranë para 17 vjetëve nga policia ndërkombëtare e UNMIK-ut. 232 plumba gome me afat të skaduar dhe të keqpërdorura jashtë protokolleve të Kombeve të Bashkuara u hodhën mbi gjokset dhe kokat e protestuesve paqësor”, u shpreh Kurti.

Po ashtu ai theksoi se si LVV ata patën kundërshtuar ulëset e garantuara e të rezervuara në Kuvendin e Kosovës me të drejtë vetoje për pakicën serbe.

Më 2 shkurt të viti 2007 pat zbritur pakoja e Ahtisarit e cila u kundërshtua dhe u kritikua nga lëvizja jonë VV, meqenëse parashihte shumë koncesione monoetnike në vendin tonë. Ne atë botë kundërshtuam ulëset e garantuara e të rezervuara në Kuvendin e Kosovës me të drejtë vetoje për pakicën serbe, kundërshtuam ekstro-realitetin mbi baza fetare, decentralizimin mbi baza etnike, kundërshtuam shuarjen e trupave mbrojtës të Kosovës dhe kundërshtuam vazhdimin e sundimit ndërkombëtar me fuqi ekzekutive mbi neve,e a llogaridhënie pa neve. Ajo ishte një protestë paqësore”, ka thënë ai.

Kurti tha se për krimet që janë bërë “as sot as nesër askush nuk mund të ketë imunitet nga drejtësia”.

Ndryshe, Balaj e Xheladini u vranë në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007 ku bashkë me mijëra qytetarë të tjerë protestonin kundër Pakos së Ahtisarit, ndërsa partia që sot është në pushtet, VV-ja, do të organizojë disa aktivitete.

Mon Balaj e Arben Xheladini u vranë në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007 nga policia rumune e UNMIK-ut. /Telegrafi/