Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla ka reaguar pas përkeqësimit të kushteve atmosferike, pasi vendi është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe bore në zonat malore.
Balla përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se drejtoria e Policisë Rrugore ka udhëzuar të gjitha strukturat e Policisë Rrugore vendore, që të patrullojnë në akse dhe në çdo rrugë ku konstatohet vështirësi për shkak të lagështirës dhe borës.
“Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, pjesa më e madhe e vendit, nga mesnata e në vijim, është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe reshje bore në zonat malore.
Në funksion të parandalimit të ngjarjeve rrugore, si dhe të kontrollit të gjendjes së rrugëve, Drejtoria e Policisë Rrugore ka udhëzuar të gjitha strukturat e Policisë Rrugore vendore, që të patrullojnë në akse dhe të kërkojnë ndërhyrjen e enteve pronare të rrugës, në çdo rruge ku konstatohet vështirësi për shkak të lagështirës dhe borës”, ka thënë Balla.
Sipas tij, aktualisht, qarqet më problematike për shkak të reshjeve të borës në zonat malore janë Shkodra, Kukësi dhe Dibra.
“Ndërkohë që shërbimet e Policisë Rrugore janë në terren, për të kontrolluar rrugët dhe përdorimin e gomave dimërore dhe zinxhirëve të gomave, nga drejtuesit e mjeteve.
Policia Rrugore gjendet në të gjitha rrugët e vendit, për të ndërhyrë në çdo rast nevoje, si dhe apelon për kujdes të shtuar në rrugë, për përdorimin e gomave dimërore dhe të zinxhirëve në zonat ku trashësia e borës është e madhe”, ka shkruar ndër të tjera Balla. /Telegrafi/