Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka fajësuar Zyrën e Rregullatori të Energjisë për diskriminim etnik, pasi ka përjashtuar katër komunat në veri nga ngritja e çmimit të energjisë elektrike, duke kërkuar nga Prokurori i Shtetit që të hetojë ZRrE-në për shpërdorim të detyrës.
Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “tentimi i Qeverisë përmes kryesuesit të Bordit të ZRrE-së për të arsyetuar diskriminimin etnik që ZRrE-ja është duke ua bërë shqiptarëve të Kosovës me rastin ngritjes së çmimit të rrymës, duke përjashtuar kështu komunat veriore nga kjo ngritje e çmimeve, është një veprim i ulët, diskriminues dhe me elemente raciste”.
Tahiri ka thënë se kjo duhet të kundërshtohet fuqishëm nga të gjithë spektri politik, shoqëria civile dhe qytetarët e vendit.
“Gjithashtu, ftoj prokurorin e shtetit që pa humbur kohë të fillojnë hetimet ndaj ZRrE-së nën dyshimim e shpërdorimit të detyrës zyrtare”, ka shkruar Tahirti, transmeton Telegrafi.
Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu ka thënë sot se katër komunat veriore me shumicë serbe nuk janë pasqyruar në raportin konsultativ për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.
Fejzullahu gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi ka sqaruar se për procesin gjyqësor që është ZRRE sa i përket shpenzimit të energjisë elektrike në atë pjesë.
Po ashtu, ai ka theksuar se gjatë këtij viti ka hapur shqyrtimin e jashtëzakonshëm në bazë ligjore për caktimin e tarifave, për të reflektuar kostot e sistemeve.
Sipas Fejzullahut, Kosova ka importuar energji elektrike me çmim tetë herë më të lartë dhe se gjatë muajit dhjetor 2021 është arritur piku maksimal i konsumit ditor të rrymë.
Për çështjen e ngritjes së çmimit të energjisë elektrike, Kuvendi i Kosovës, me kërkesën e PDK-së, ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme të hënën, ku opozita ka kundërshtuar ngritjen e çmimit.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka thënë se do t’i dërgojnë komentet lidhur me raportin e fundit konsultativ të ZRRE-së.
“Ne do t’i dërgojmë komentet tona. ZRRE është institucion i pavarur. Ta zëmë se unë nuk e kam numrin e kryesuesit të Bordit, mirëpo ministrat e linjës dhe nga Kuvendi i Kosovës do t’i dërgojnë sa më parë komentet në mënyrë që Bordi i ZRRE-së, bazuar në raportin e vet t’i trajtoj sugjerimet”, ka theksuar Kurti. /Telegrafi/