Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se presidentja e vendit, Vjosa Osmani nuk është deklaruar për përjashtimin e FSK-së nga “Defender 2023”.
Hoti përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Osmani është duke qëndruar krahë Qeverisë së Kosovës në shkatërrimin e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në.
“Komandantja Supreme e Forcave të Armatosura asnjë fjalë s’e nxjerr nga goja për përjashtimin e ushtrisë të cilën e komandon, nga ushtrimi më i madh që është mbajtur ndonjëherë në rajon – ‘Defender 2023’. Shefja e shtetit po qëndron krah pushtetit në shkatërrimin e marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me aleatin kryesor që garanton sigurinë e shtetit të Kosovës, SHBA-në”, ka thënë Hoti.
Po ashtu ai ka thënë se si çdo republikë parlamentare, edhe Kosova e ka presidentin posaçërisht për raste të tilla – për të mbajtur balancet institucionale dhe për t’ia pamundësuar mazhorancës veprimet që dëmtojnë interesat shtetërore duke ndjekur interesat e tyre elektorale. /Telegrafi/