Telegrafi

Perisic ndihet i lumtur me trofeun e Kupës së Italisë, por thumbon drejtuesit në lidhje me rinovimin e kontratës

Ivan Perisic ka thënë pas fitores 4-2 ndaj Juventusit se Interi ‘gjithmonë ka besuar’ në Kupën e Italisë dhe mund të fitojë ende Scudetton, ndërsa pati kritika për drejtuesit e klubit në lidhje me rinovimin e kontratës së tij.

Nerazzurrët kishin kaluar në epërsi të hershme me golin e bukur t Nicolo Barellas, por Juve e ktheu atë me Alex Sandro dhe Dusan Vlahovic në 120 sekonda.

Një penallti e Hakan Calhanoglu detyroi vazhdimet, ku Perisic mori kontrollin me dy gola në dy minuta, duke konkretizuar një penallti për faullin e Matthijs de Ligt ndaj Stefan de Vrij dhe duke shënuar një supergol për 4-2.

Ky është trofeu i tetë i Interit në Kupën e Italisë, i pari që nga sezoni 2010/11, pasi mundi edhe Juven gjatë vazhdimeve në Superkupën e Italisë.

Lexo po ashtu Inzaghi pas fitimit të Kupës: Kjo skuadër e Interit nuk dorëzohet kurrë, jam jashtëzakonisht i lumtur

“Gjithmonë kam besuar, kur ishim 1-0 në epërsi ose 2-1 në disavantazh, përpiqesha t’i ngre kokat të gjithëve, pasi humbëm kokën për 10-15 minuta, por reaguam mirë dhe mendoj se fitorja ishte e merituar”, ka thënë fillimisht Perisic për Sport Mediaset.

“Unë ndihem gjithmonë si lider, por kur ekipi punon kështu, është më e lehtë të jesh lider. Thjesht duhet të vazhdojmë, kanë mbetur edhe dy ndeshje finale, gjithçka është e mundur në futboll dhe ne duhet të vazhdojmë të besojmë”.

Ende besoni se Interi mund t’i heqë Scudetton nga Milani?

“Gjithmonë”.

Lexo po ashtu Allegri përgëzon Interin për trofeun, por zbulon se dikush nga bankina e goditi

Sidoqoftë, intervista përfundoi në një notë proteste dhe kritike kur Perisic u pyet për situatën e kontratës së tij, e cila skadon më 30 qershor, dhe drejtori Beppe Marotta tha se kishte një shans të mirë për të zgjatur marrëveshjen e tyre.

“Nuk di ende asgjë. Me lojtarë të rëndësishëm, nuk duhet pritur minutën e fundit. Ju gjithashtu duhet ta dini këtë”, përfundoi ylli kroat. /Telegrafi/