Telegrafi

Përgjigja ‘diplomatike’ e Neymarit kur pyetet nëse Mbappe është në nivel me Messin: Nuk mund të krahasohen

(Fotomontazh: Twitter/Paris Saint-Germain)

Neymar e ka shijuar futbollin krah Kylian Mbappes te Paris Saint-Germaini, mirëpo ai është i vetëdijshëm se francezi ka një rrugë të gjatë përpara se të mund të krahasohet me Lionel Messin.

Kampioni i botës ka qenë fantastik këtë sezon në Ligën e Kampionëve, sidomos në përballjen ndaj Barcelonës në Camp Nou (skuadër në të cilën ka luajtur braziliani në të kaluarën).

“Nuk ka krahasim”, ka thënë Neymar kur i është kërkuar të bëjë krahasime ndërmjet Mbappes dhe Messit.

(Foto: Twitter/Barca Worldwide/Khizar)

“Ata kanë dy stile shumë të ndryshme të lojës. Messi është futbollisti më i mirë që kam parë, ndërsa Kylian është rrugës për t’u bërë një prej më të mirëve”, ka shtuar 29-vjeçari.

Siç transmeton Marca, Neymar ka pranuar se do të dëshironte të ishte aq i shpejtë sa bashkëlojtari i tij te PSG, të cilit po ashtu i ka thurur lëvdata.

(Foto: Twitter/Paris Saint-Germain)

“Një pjesë të madhe të lumturisë time te PSG ia kam borxh Mbappes. Ai më ka ndihmuar të mësoj për mënyrën franceze të jetesës, ma ka shpjeguar mentalitetin francez. Ia kam borxh një pjesë të madhe të përshtatjes time”, ka theksuar braziliani. /Telegrafi/