Site icon Telegrafi

Përgatitjet për filmin “Skënderbeu”, sipas kujtimeve të Aleks Budës

Arben Velo

Prapaskenat e filmit “Skënderbeu”, bazuar në kujtimet e profesor Aleks Buda dhe Viktor Stratobërdhës.

65 vite më parë, më 28 Nëntor 1953, ditën e 41 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, do të shfaqej paralelisht në kinematë e Tiranës dhe Moskës një film midis fiksionit dhe historisë, një bashkëpunim i frytshëm i “MOSFILMIT” dhe Kinostudios “Shqipëria e re”. Bëhet fjalë për filmin epope “Skënderbeu, luftëtar i madh i Shqipërisë”, ose siç njihet nga të gjithë – “Skënderbeu”.

Sot, ndërsa ndjekim skenat madhështore të krijuara nga regjia e Sergei Josifoviç Jutkeviq, të cilat bashkëshoqërohen nga muzika, nuk mund të mos magjepsemi. Muzikë është kthyer në një emblemë kombëtare.

Si u realizua kjo kryevepër kinematografike sovjeto-shqiptare?

Veç dokumenteve e fakteve të nxjerra në dritë lidhur me kujtimet e faktet tashmë historike të realizimit të këtij filmi, na vijnë në ndihmë edhe kujtime të dy prej protagonistëve kryesorë të aventurës filmike, që u kthye në një nga filmat më të shikueshëm dhe më të pëlqyer në historinë e filmit shqiptar. Ata janë Viktor Stratobërdha i lindur në vitin 1925 në Korçë dhe ndarë nga jeta pas kalvarit të vuajtjeve dhe persekutimeve në Kanadanë e largët në vitin 2000, si dhe kujtimet e profesor Aleks Budës që së bashku me Anatoli Milerin do të ishin dhe konsulentët për çështjet historike në filmin për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Këto kujtime zbardhen për herë të parë nga profesor i Universitetit të Tiranës Marin Haxhimihali, nipi i profesor Aleks Taqi Buda. “Në arkivin e familjes Buda ekziston një material i daktilografuar, hartuar nga Viktor Stratobërdha, të cilit unë i jam referuar”, pohon profesor Haxhimihali.

Në kujtimet e shkruara nga profesor Aleks Buda thuhet se “Skenari iu ngarkua njërit prej skenaristëve sovjetikë më në zë të kohës, Mihail Papava (1906-1975). Papava ishte një intelektual i shquar, skenarist, gazetar dhe kritik arti që kishte kryer dy fakultete: Histori-Filologji në Universitetin Lomonosov, ndërsa në vitin 1938 ai do të mbaronte edhe Fakultetin e kineastëve. Është laureuar gjithashtu me çmimin ‘Stalin’ të shkallës së parë në vitin 1950”.

Buda u ngarkua nga pala shqiptare që të bashkëpunonte me skenaristin rus si konsulent mbi historinë. Vizitën e parë në Shqipëri, skenaristi rus Papava do ta kryente në muajin prill të vitit 1949. Për më shumë se dy muaj, ai do të shëtiste nëpër Shqipëri i shoqëruar nga Aleks Buda. Së bashku ata vizituan Tiranën, Krujën, Lezhën, Beratin dhe kudo ku kishte gjurmë të Skënderbeut. ‘Ka shkrime dhe kujtime në fondin arkivor ‘Buda’, ku ky i fundit kujton se skenaristi rus interesohej sidomos për legjendat që lidheshin me heroin shqiptar, forcën e tij të madhe, kalin që kapërcente malet, shpatën që thyente shkëmbinjtë e nuk mund ta ngrinin dot dy burra etj’, thotë profesor Marini. Por, Papavën më tepër e tërhiqnin gjërat e vërteta. Thuajse në gjithë takimet shqiptarët e gjithë rangjeve i kërkonin skenaristit rus që ta përshkruante në mënyrën më legjendare Skënderbeun, gati si një figurë mitologjike. Por, nëse shikohet në film, skenaristi i ka përdorur këto mitologji vetëm në këngë që ai i vendosi në skenar si bashkëshoqëruese të filmit.

Si po pritej ky film në radhët e historiografisë shqiptare?

Kjo e fundit sapo kishte nisur një kthesë që përkonte me periudhën e pas kongresit të parë të PKSH-së të vitit 1948, ku mbizotëronte fryma e egër ndaj klasave të përmbysura, me ç’rast përpiqeshin të denigronin figurën e Skënderbeut?! Haxhimihali i referohet në këtë pikë profesor Kristo Frashërit.

“Duke u kapur nga prapashtesa ‘Bej’ që mbante emri Skënder i Heroit, pra Skënderbej, titull i cili në shekullin XV në të vërtetë kishte kuptimin e gjeneralit”, shkruan profesor Kristo Frashëri në “Aleks Buda – Një jetë për Albanologjinë”, “ata e trajtonin atë si një bej në kuptimin e pronarit çifligar, të cilët në ato vite goditeshin me egërsinë e xhunglës”. Përballë kësaj situatë, kujton Haxhimihali, për të ndriçuar portretin e vërtetë historik të Skënderbeut, Aleks Buda mbajti një konferencë të posaçme në sallën e Teatrit Popullor me 17 janar 1949. Ndërsa, lidhur me këtë konferencë, profesor Kristo Frashëri do të shkruante: “Kjo nuk ishte një konferencë partiake, as shtetërore, por ishte e para konferencë në Shqipëri me temë historike që mbahej vetëm nga një konferencier”. Pikërisht, në mes të kësaj situate, në muajt e pranverës mbërriti në Shqipëri skenaristi rus. Ai përshkoi gati gjithë vendim, duke bazuar më pas edhe pjesët e skenarit në natyrë, ku u luajtën më vonë skenat e filmit.

“Kur ne ishim në Berat dhe po bisedonim për ngjarjet që u zhvilluan aty”, kujton profesor Buda, “unë i tregova Papavës për Laonikun, historianin filozof me prejardhje greke në oborrin e sulltanit. Ai u interesua shumë për këtë figurë dhe jo vetëm e futi në film, por krijoi edhe një skenë të veçantë ku përplaseshin mendimet e Skënderbeut me ato të Halkokondilit dhe ku nënvizohej qëndrimi i drejtë dhe largpamës i Skënderbeut për kohën e tij”.

Përplasja e emrave dhe skenave në film dhe disa vërejte shtesë

Emri Laonik është emri i Nikolaos i ndryshuar me anë të metatezës duke ruajtur numrin e shkronjave dhe kuptimin etimologjik. Mbiemri njihet në 13 versione dhe i përket njërës prej familjeve më të shquara të Athinës . “Ai është një nga njohësit më të mirë të literaturës greke dhe latine”, plotëson Marin Haxhimihali . Sipas këtij të fundit, kjo dëshmohet edhe nga humanisti Qirjaku i Ankonës, ai që jep edhe të dhënat e para për Apoloninë dhe Butrintin.

“Ndonëse Papava i kishte kushtuar vëmendje prologut të skenarit, ai nuk mund ta bënte atë për sa kohë që unë nuk i kisha treguar atij me hollësi historinë e nëntëvjeçarit Gjergj Kastriotit të marrë peng nga turqit si shumë fëmijë të tjerë të fisnikëve shqiptarë”,  shkruan Buda. “Ne shkëmbyem mendime me Papavën”, vijon ai, “ndërsa ishte mendimi i tij që filmi të niste në mënyrë të tillë. Skena është e njohur tashmë: Turqit marshojnë fitimtarë, kurse një grup fëmijësh ndër të cilët edhe Gjergji, u hedhin gurë nga sipër. E kapin Gjergjin dhe duan t’i presin kokën, por një grua e shpëton duke bërtitur: Lëreni! Është djali i Gjonit, zotit të Krujës! Skenaristi ka qenë në dilemë se si do të fuste në film figurën e teologut; ai ishte në dilemë se si do të reagonte publiku ndaj kësaj figure. Në fund teologu Pal Engjëlli, edhe pse ishte figurë e fesë, u fut në film si figurë pozitive. Edhe figura e mbretit Alfons të Napolit ngjalli diskutime. Papava propozoi që të mos zhvillohej linja e tij në dramaturgji, por të përmendej thjesht në tekst si replika midis heroit dhe bashkëpunëtorëve të vet. Në muajin janar të vitit 1950, Papava u largua nga Shqipëria me një material të bollshëm dhe me shumë opinione. Puna për filmin rifilloi sërish në muajin mars të vitit 1951”.

Aleks Buda dhe Mihail Papava u takuan në Moskë, ndërsa pas konsultimeve mes tyre skenari letrar u përfundua dhe shkoi për shqyrtim në Komitetin për Marrëdhënie Artistike dhe Kulturore me jashtë. Ky i fundit bëri një sërë vërejtjesh ndaj skenarit. Sipas këtij Komiteti, në skenar mungonte koloriti shqiptar në përshkrimin e jetës në dialogë. Dafina e cila vendos të pajtohet me fisin e vrasësit të djalit, të mos ishte e pikëlluar, por krenare; Sulltani nga ana e vet, s’duhet t’i japë fermanin Skënderbeut, por ta provokonte atë me premtime se do t’i jepte tokat e të atit të vdekur. Kjo do të sqaronte raportet e Skënderbeut me Shqipërinë. Ndërkohë që kthimi i Skënderbeut në atdhe duhej të tregohej në film si një festë e madhe. Dasma e Mamicës si skenë duhej të zëvendësohej me dasmën e Skënderbeut me ritet kombëtare; Laoniku duhej të hiqej nga skenari. Në rolin e Venedikut mungonte kryesorja – pengesa që ai sillte për bashkimin e Shqipërisë.

Lista e vërejtjeve vazhdonte me të tjera pika

Skenaristit iu sugjerua gjithashtu që të shfrytëzohej letra e Skënderbeut ku thotë se jemi pasardhës të atyre epirotëve që luftuan kundër romakëve dhe fituan. Në fund të skenarit, kalimi nga mesjeta në ditët e sotme nuk ka vërtetësi. Tafil Beu, mëkëmbësi i Turqisë në Krujë bëhet Hasan beu. Emri Abaz në film të zëvendësohet me Todi. Në fakt, në film ai u zëvendësua me emrin Pali. Të merrej parasysh se në atë kohë nuk pihej duhan, nuk ekzistonte. Dhe së fundmi, Ballaban Pasha mbante feste dhe jo përkrenare, ndërsa emri Selina të jetë Dafina. Shumë nga këto vërejtje u morën parasysh.

Prej vitit 1951 deri në vitin 1952 asgjë nuk u mësua mbi fatin e mëtejshëm të skenarit.

Të tjera dilema ka pësuar Viktor Stratobërdha. Atij ju komunikua se do të bashkëpunonte në të parin film shqiptar. Sipas shënimeve të Stratobërdhës, të cituara nga Marin Haxhimihali, ai ka të fiksuar në shkrime edhe emocionet e regjisorit rus për peizazhet e Shqipërisë, sidomos nga arkitektura e Krujës me rrugica të ngushta me kalldrëm guri dhe kalaja e Gjirokastrës. Njëkohësisht, regjisori ishte mahnitur nga pasuria e kostumeve shqiptare. “Jukeviq kishte këmbëngulur që ato të shfrytëzoheshin maksimalisht, madje edhe në skenat masive të luftërave”, shkruan Stratobërdha në faqen katër të materialeve të daktilografuara në arkivin Buda. Nuk kanë munguar, sipas tij, edhe notat komike. Në Berat rusëve iu është propozuar që si protagonist në rolin e Skënderbeut të merrej një mësues vendas, sepse ai kishte hundë të madhe si të shqiponjës, çka në përfytyrimin e propozuesit i ofrohej shumë Skënderbeut.

I vetmi emër aktori që ngjalli diskutime dhe mëdyshje te pala shqiptare ishte ai i balerinës Alibali. Ajo vinte nga Filarmonia dhe kurrë nuk kishte luajtur në skenë, ndërsa i ishte besuar nga regjisori roli i Mamicës, për shkak të tipareve të fytyrës.

Periudha përgatitore zgjati nga muaji prill deri në qershor. Gjatë kësaj periudhe përfunduan skenari regjisorial, armët, kostumet etj. Pastaj nisën dhe provat me aktorët. Në muajin shtator nisën xhirimet në Krimenë e largët në BRSS, ndërsa pranverën e vitit tjetër xhirimet u kryen në Shqipëri, ku u filmua natyra e bukur dhe skenat me diell. Si rezultat i kësaj pune intensive disavjeçare dhe bashkëpunimit të frytshëm profesional, u arrit që të krijohet një vepër e cila sikurse thotë profesor Aleks Buda në kujtimet e tij: “E kënaqi ëndrrën e popullit për ta parë heroin e vet, ashtu sikurse e kanë kënduar në këngë e legjenda”.

Ka ngelur si një histori e bukur nominimi i filmit për “Palmën e artë” në Festivalin e Kanës, arena më prestigjioze e kinematografisë evropiane . Filmi Skënderbeu u shfaq në sallat kryesore të Francës dhe në shumë vende evropiane. Regjisori Sergej Jutkeviq fitoi çmimin e parë për regjinë më të mirë. Filmi “Skënderbeu” fitoi çmimin e parë nga Komisioni Teknik i Kinemasë, aktori protagonist Akaki Horava dhe skenaristi Mihail Papava janë dekoruar me “Urdhrin e Klasit të Parë”. Me “Urdhrin e Punës të Klasit të Parë” u nderuan edhe pjesëtarët vendas të grupit realizues, Aleks Buda, Llazar Siliqi, Çesk Zadeja, Naim Frashëri, Besa Imami, Mihal Popi, Shemsi Tototzani dhe Viktor Stratobërdha.

Edhe pas 65 viteve nga shfaqja për herë të parë, filmi “Skëndërbeu” ruan ende suksesin befasues dhe të jashtëzakonshëm .

 

 

Exit mobile version