Site icon Telegrafi

Përfundon takimi i Hotit me liderët e partnerëve qeverisës, Limaj: Qeveria ka stabilitet

Ka përfunduar takimi i kryeministrit Avdullah Hoti me liderët e partive në koalicionin qeverisës.

Pas takimit, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka bërë të ditur se kanë biseduar rreth zhvillimeve politike në vend dhe për dialogun me Serbinë, transmeton Telegrafi.

“Biseduam për zhvillimet e fundit në vend, u informuam nga kryeministri për gjendjen e pandemisë COVID-19, paketën e rimëkëmbjes ekonomike, parapërgatitjet për vitin e ri shkollor, sigurisht një nga temat kryesore ishte edhe çështja e dialogut me Serbinë”, deklaroi Limaj para mediave përcjell Telegrafi.

Limaj ka thënë se delegacioni i Kosovës duhet të jetë i fokusuar në dialog për njohje, dhe jo për dialog teknik.

“Ka qenë dakordim i përbashkët që Kosova të marrë pjesë në dialog dhe rikonfirmimi që heqja e taksës dhe reciprociteti janë bërë për njohje, ne shkojmë në dialog për njohje. Shqetësimi se mund të rrëshqet në dialog teknik është. Kushdo që shkon atje shkon për njohje, koha është për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”.

I pyetur rreth përfshirjes së PDK-së në Qeveri, Limaj pohoi se ai gjithmonë përkrahë formimin e një qeverie të gjerë, teksa ka shtuar se Qeveria Hoti tashmë ka stabilitet.

“Unë gjithmonë jam për një Qeveri të gjerë stabile që merr përsipër përgjegjësinë për trajtimin e temave që janë me rendësi për vendin. Ka stabilitet kjo Qeveri, po punojmë për një Qeveri që kryen punë dhe që përmbyll temat dhe që do t’i hapnin një perspektivë tjetër vendit”, shtoi ai./Telegrafi/

Exit mobile version