Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se në takimin e ambasadorit amerikan, Philip Kosnett me dy nënkryetarët e LDK-së, Vjosa Osmanin dhe Lutfi Hazirin është diskutuar për situatën aktuale politike në vend dhe bisedimet me Vetëvendosjen për formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e tetorit 2019.
Në njoftimin e bërë nga LDK thuhet se, Osmani gjatë takimit ka diskutuar për prioritetet e LDK-së, në institucionet e ardhshme, në veçanti për zhvillimin ekonomik, procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe sundimin e ligjit dhe ka potencuar rëndësinë e bashkërendimit të qëndrimeve me partnerët tanë, SHBA-të dhe Bashkimin Evropian.
“Kosnett inkurajoi LDK-në të vazhdojë qasjen konstruktive në proceset e Kosovës. Në takim të pranishëm ishin nënkryetarët Dr. Vjosa Osmani dhe z. Lutfi Haziri dhe anëtarët e Kryesisë, Kujtim Shala dhe Besian Mustafa”, njofton LDK.
Përfundon takimi ndërmjet ambasadorit Kosnett dhe dy nënkryetarëve të LDK-së
Ka përfunduar takimi i ambasadorit amerikan Philip Kosnett dhe dy nënkryetarëve të LDK, Lutfi Hazirit dhe Vjosa Osmanit.
Pas takimit, Kosnett është larguar nga selia kryesore e LDK-së, ndërsa nuk ka pasur ndonjë deklaratë për media lidhur me takimin.
Ndërkohë në po të njëjtën seli po vazhdon takimi mes dy grupeve punuese të LDK-së dhe VV-së.
Takimi i grupeve punuese të LDK-së dhe VV-së ka filluar pak pas orës 15:00.
Pas takimit pritet që përfaqësuesit e këtyre subjekteve politike të deklarohen për media, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, LDK dhe Vetëvendosje po vazhdojnë takimet në përpjekje të arritjes së një marrëveshje për koalicion qeverisës. /Telegrafi/