Telegrafi

Përfundon operacioni policor në Prishtinë: Arrestohen tre të huaj dhe një kosovar, dyshohen për vrasje

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës në Prishtinë, ka përfunduar para pak çastesh operacionin e kërkimit të disa të dyshuarve për vrasje që kërkohen nga INTERPOL-i, duke arrestuar katër persona, tre shtetas të huaj (dy malazezë dhe një serb) dhe një kosovar.

Ata u arrestuan në orët e pasdites në Prishtinë, kur policë të shumtë u panë duke kontrolluar disa ndërtesa në lagjen Kalabria të kryeqytetit.

“Policia e Kosovës, gjatë realizimit të një operacioni policor sonte në orët e mbrëmjes në Prishtinë, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e disa personave të dyshuar për vepra kriminale, disa nga ta shtetas të huaj e që janë në kërkim ndërkombëtar, të dyshuar edhe për vrasje, ka ndaluar 4 persona të dyshuar: 3 shtetas të huaj dhe një kosovar”, tha për REL, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Zyrtarë brenda Policisë së Kosovës  thanë se dy nga të arrestuarit janë malazezë, një serb dhe i dyshuari i katërt është shqiptar nga Kosova.

Lexo po ashtu Operacion arrestimi i shtetasve të huaj në Prishtinë, të dyshuar për vrasje (Video)

Telegrafi më herët ka publikuar pamjet nga operacioni i sotëm i kërkimit dhe arrestimit të personave në kërkim ndërkombëtar, të dyshuar për kryerjen  vrasjeve të ndryshme. /Telegrafi/