Policia ka përfunduar operacionin policor për bastisje në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, tha për Telegrafin se të mërkurën në orët e paradites do të vendosin se si do të veprojnë në vazhdim.
“Sot në orët e pasdites ka përfunduar operacioni i kontrollit dhe bastisjes në zonën e Banjskës. Nesër në orët e paradites do të vendoset për hapat e mëtejmë”, tha ai.
Ai tregoi se aksioni i bastisjeve ka përfunduar në orët e pasdites të ditës së martë, duke mos dhënë më shumë detaje.
Gjatë ditës së sotme (e martë) policia në një hotel ka arrestuar edhe dy persona të dyshuar si dhe në zonën e fshatit Banjskë janë gjetur dhe janë konfiskuar disa mjete dhe arsenal armësh.
Pas arrestimit të dy sulmuesve terroristë me armë zjarri ndaj zyrtarëve policorë, arrestimit të katër personave të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terrorist, si dhe arrestimit të dy personave të dyshuar të hënën, numri i të arrestuarve deri më tani ka arritur në tetë persona.
Mjetet e konfiskuara gjatë së martës përbëjnë një veturë rëndë të blinduar, dy vetura dhe një ekskavator të cilat kanë qenë të mbushura me sasi të madhe të armatimit. Përpos kësaj, policia pati sekuestruar armatim në sasi të madhe edhe gjatë së dielës.
Ndryshe, në orët e para të së dielës së 24 shtatorit, një grup terroristësh sulmuan Policinë e Kosovës duke lënë të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku, ndërsa plagosi dy policë të tjerë. Ndërsa në mesin e terroristëve mbeten të vrarë 3 prej tyre.
Autoritetet në Kosovë kanë nxjerrë prova që implikojnë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq si udhëheqës të këtij grupi terrorist. Radoiçiq është i sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. /Telegrafi/