Telegrafi

Përfundon aksioni në Shtërpcë – arrestohet një doganier dhe kryetari i bordit të “Ski Center Brezovica”

Foto ilustrim

Ka përfunduar aksioni “Brezovica”, ku pas bastisjes së shtatë lokacioneve të ndryshme në Shtërpcë janë arrestuar një doganier dhe kryetari i Bordit të “Ski Center Brezovica”.

Prokuroria e Ferizajt njofton se të dyshuarit janë në ndalim policor prej 48 orësh, transmeton Telegrafi.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellës, sot kanë realizuar aksionin “Brezovica ” ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur shtatë lokacione të ndryshme në Shtërpcë, në mesin e tyre edhe objekti i Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar”, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim thuhet se, me vendim të Prokurorit të Shtetit, personat e arrestuar, N.G.,- doganier dhe S.I., – kryetar i bordit të “Ski Center Brezovica”, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtëve, brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Lexo po ashtu Vazhdon aksioni "Brezovica", bastisje në disa lokacione

Aksioni i sotshëm ishte vazhdim i operacionit të mëhershëm “Brezovica”

Ndryshe, më 21 dhjetor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës se bashku me Prokurorinë Themelore të Ferizajt kanë nisur aksionin “Brezovica”, ku deri tani nën pranga janë vënë rreth 30 persona, përfshirë këtu ish kryetarin e komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, zyrtarë tjerë të kësaj komune, e po ashtu zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, nën pranga u vënë edhe pronar të kompanive të ndryshme ndërtimore.

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar se personat që janë arrestuar dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit.

Aksioni “Brezovica” kishte filluar më 21 dhjetor të vitit 2021, ku nga aksioni i parë rezultuan të arrestuar 10 persona, në mesin e tyre ishte edhe ish kryetari i Komunës së Shtërpcës Bratislav Nikoliq dhe nëntë zyrtarë tjerë të kësaj komune.

Lexo po ashtu Aksioni "Brezovica", rreth 30 të arrestuar deri tani, zyrtarë e ish zyrtarë të ministrive - të sekuestruara para dhe prona

Për ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, Prokuroria kishte njoftuar se dyshon se ka përfituar 1 milion euro nga dhënia e lejeve për ndërtim të vilave në zonën e Brezovicës.

Në aksionin e 21 dhjetorit ishin bastisur 10 lokacione në regjionin e Ferizajt, Prishtinës dhe në Shtërpcë, ku janë sekuestruar para, armë, vetura si dhe disa dokumentacione.

Pas arrestimit, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për dhjetë personat e arrestuar më 21 dhjetor në rastin ‘Brezovica’. /Telegrafi/