Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë arrestuar sot në orët e hershme të mëngjesit në Mitrovicën e Veriut tre zyrtarë policorë.
“Operacioni i sotshëm që u zhvillua me urdhëresë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar në muajin maj të këtij vitit të koduar me emrin “Kontrabanda”.
Arrestimi i tre të dyshuarve (një toger policor, një rreshter dhe një zyrtar policor) është realizuar me urdhëresë të Prokurorisë Speciale me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Keqpërdorim i pozitës zyrtare””, thuhet në njoftimin për media.
Të arrestuarit do të intervistohen nga hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent.
Me tri arrestimet e sotshme, gjithsej numri i zyrtarëve policorë të arrestuar gjatë këtij operacioni ka shkuar në 25. /Telegrafi/