Telegrafi

Përfaqësuesit e BE-së vizitojnë jugun e Kosovës

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kanë vizituar sot jugun e Kosovës, siç u tha, për të parë efektet pozitive që ndihma e BE-së ka në zhvillimin ekonomik, fuqizimin e grave dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Zyra e BE-së në Kosovë njofton se ata vizituan “Kooperativën Bujqësore të udhëhequr nga gratë në Krushë të Madhe; ”Shtëpia e Fisnikëve” (muze dhe galeri), dhe verarinë familjare “Vinica Petroviq” në Hoçë të Madhe, si dhe verarinë “Bodrumi i Vjetër” në Rahovec, që të gjitha këto përfituese të granteve të BE- së për zhvillim. Ata gjithashtu vizituan Kishën varrezore të Shën Gjonit në Hoçë të Madhe.

Lexo po ashtu Ambasadori i BE-së nga Krusha e Madhe: Do të vazhdojmë të mbështesim gratë në tregun e punës

“Me dy raunde të mbështetjes financiare zemërgjerë nga BE-ja në vitin 2014 dhe 2020, në shumën prej më shumë se 400,000 euro, ne kemi arritur të rrisim prodhimin tonë të turshive dhe ajvarit nga 600 në 1,200 tonë. Gjithashtu e kemi diversifikuar prodhimin tonë që tani përfshinë 43 produkte të ndryshme”, tha Fahrije Hoti, drejtoreshë e Kooperativës Bujqësore në Krushë të Madhe dhe fituese Çmimit “Evropianja e Vitit 2022” të ndarë nga BE në Kosovë.

“Ne e themeluam kooperativën që të ndihmojmë gratë e veja nga komuniteti ynë që të fitojnë pavarësi financiare dhe qëndrueshmëri. Me ndihmën e BE-së arritëm shumë më tepër. Kooperativa tani punëson 50 gra, pesë burra dhe 20 punëtorë sezonalë shtesë si dhe eksporton në nëntë vende të BE-së”.

Vizita në Hoçën e Madhe thuhet se u përqendrua në mbrojtjen dhe ruajtjen e vendeve të trashëgimisë kulturore dhe kapitalizimin e tyre nëpërmjet turizmit kulturor dhe eno-gastronomik. /Telegrafi/