Përfaqësuesja e Francës në OKB tha se mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është çështje e sigurisë evropiane.
Ajo foli për marrëveshjen që më 30 shtator, dy shtetet, nën ndërmjetësimin e BE-së arritën për çështjen e targave dhe tha se Franca inkurajon palët që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme.
“Kjo krizë është një ilustrim i faktit se nuk ka asnjë alternativë tjetër, as për Serbinë apo Kosovën përveç një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese që zgjidh mosmarrëveshjet mes dy shteteve”, tha ajo.
Franca bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë dialog konstruktiv dhe theksoi se është e rëndësishme “që të shmangen çfarëdo veprimesh të njëanshme që mund ta minojnë dialogun”.
Përfaqësuesja e Britanisë së Madhe bëri thirrje që palët t’i shmangen retorikës dhe aksioneve që mund ta përshkallëzojnë situatën derisa theksoi nevojën që të dyja palët në kuadër të dialogut në Bruksel të gjejnë një zgjidhje për lëvizjen e lirë.
Ajo tha se Kosova ka bërë përparim në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe në vaksinimin e popullatës kundër COVID-19.
Ajo ngriti shqetësime për, siç tha, frikësimin e votuesve serbë në prag të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit dhe organizatave joqeveritare serbe që bashkëpunojnë më institucionet në Prishtinë.
Përfaqësuesja e Britanisë së Madhe falënderoi Kosovën për kontributin në evakuimin e afganëve nga Afganistani në bashkëpunim me NATO-n.
Britania e Madhe kërkoi rishikimin e misionit të UNMIK-ut, pasi siç tha, rrethanat tashmë kanë ndryshuar në Kosovë.
Përfaqësuesit e Nigerit, Estonisë, Indisë dhe Irlandës u kërkuan Kosovës dhe Serbisë të tregojnë vullnet politik per të bërë konsensione, të vazhdojnë dialogun më besim të plotë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Është ky një takim i rregullt për Kosovën, ku paraqitet raporti i Misionit të Kombeve të Bashkuara.
Raporti përfshin periudhën 16 mars – 15 shtator, 2021.
Takimi do të zhvillohet dy ditë pas një krize të re në veri të Kosovës, ku serbët lokalë protestuan dhunshëm për shkak të një operacioni anti-kontrabandë të Policisë së Kosovës.
Në përleshjet midis policisë dhe protestuesve u lënduan 20 veta, në mesin e tyre zyrtarë policorë.