Telegrafi

Përfaqësuesit e biznesit kërkojnë nga Kurti dialog publiko-privat, propozohet strukturimi i Agjencisë për Promovim të Investimeve

Fuqizimi i sektorit privat, promovimi i potencialeve për investime dhe i eksporteve, por edhe avancimi i dialogut publiko-privat ishin në thelb të diskutimit të kryeministrit Albin Kurti me drejtuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Në takim, Kurti theksoi rolin e rëndësishëm që ka sektori privat edhe në krijim të vendeve të punës por edhe në zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik.

Ai tha se fokusi i ardhshëm duhet të jetë në fuqizimin e diplomacisë ekonomike por edhe kapaciteteve institucionale për promovim të investimeve të huaja.

Presidentja e Bordit të OEAK-ut, Afrore Rudi ka ofruar të rekomandimet për sfidat me të cilat ballafaqohet sektori privat.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i OEAK-ut, Arian Zeka ka prezantuar kërkesën për një mekanizëm të centralizuar për dialogim publiko-privat që do të funksiononte në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, e përmes të cilit odat ekonomike do të mund të adresonin shqetësimet e ndërmarrjeve të sektorit privat.

Zeka tha se OEAK-u propozon edhe strukturimin e Agjencisë për Promovim të Investimeve dhe Ndërmarrjeve të Kosovës ose ndonjë trupi tjetër të ri për promovim të investimeve, e cila do të shërbente edhe si portë e vetme për komunikim me investitorët.

Në fund, u dhanë edhe rekomandime të tjera për aspekte specifike të të bërit biznes në Kosovë. /Telegrafi/