Përfaqësuesi i Aleix Vidal ka thënë se nuk ka pasur asnjë kontakt nga Interi apo Roma për mbrojtësin e djathtë të Barcelonës.
Mediat kanë raportuar të enjten se Nerazzurrët janë duke u përpjekur ta transferojnë 28-vjeçarin.
Nga ana tjetër, edhe Giallorossët janë përmendur si një destinacion i mundshëm.
Megjithatë duket se gjithçka është akoma në fazën e spekulimeve dhe nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.
“Tash për tash, nuk ka asgjë ndërmjet Interit dhe Aleix Vidal”, ka thënë ish-portieri Graziano Battistini (që është agjent lojtarësh) për FCInter1908.
“Nuk kemi pasur asnjë kontakt me Nerazzurrët apo Romën, mirëpo do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për Aleix në janar”, ka shtuar ai.
Vidal është pjesë e Barcelonës nga viti 2015, kur u transferua nga Sevilla. /Telegrafi/