Site icon Telegrafi

Perez ‘godet’ Barcelonën: Nuk e shesim kurrë Ronaldon edhe sikur të paguajnë sa pesha e tij në ar

Përballë një situate të ngjashme si Neymar te Barcelona, drejtuesit e Real Madridit do të silleshin ndryshe për të mos u privuar nga lojtarët kryesorë.

Kur diskutohet sërish largimi i Cristiano Ronaldos drejt Anglisë për shkak të problemeve me taksat, presidenti i skuadrës kampione të Evropës doli sërish në skenë për të mbrojtur yjet “merenges”.

I gjendur në ishujt Eolie në Itali me jahtin e tij luksoz “Pitina”, Florentino Perez nuk i shpëtoi syve kureshtarëve sapo preku brigjet dhe u përgjigj edhe në çështjen e “Topit të Artë” në fuqi.

“Nuk e shesim kurrë Ronaldon, edhe nëse do ta paguajnë sa pesha e tij në ar”.

“Vetëm futbollistët më të mirë sjellin fitime të mëdha dhe ne jemi sipas European Elite 2017, skuadra e dytë më e vlefshme ekonomikisht. Vlejmë 3 miliardë euro si markë dhe shoqëri”,  ka thënë presidenti i Realit, transmeton Top Channel.

Edhe nëse një ekip si PSG është gati të paguajë klauzolat, “galaktikët” kanë menduar duke përfshirë në kontrata, shifra jashtë çdo parametri.

Cristiano Ronaldo ka një klauzolë 1 miliard euro, sa 5-fishi i brazilianit Neymar, ndërsa për Bale dhe Modric klauzola është 500 milionë, praktikisht e pamundur që të ndryshojnë para fundit të kontratës.

Exit mobile version