Një varg përparimesh në kërkimin e kancerit gjatë dekadës së fundit ka ndihmuar që normat e mbijetesës të rriten ndjeshëm.
Por parandalimi i sëmundjes mbetet një pikë qendrore e rëndësishme për shkencëtarët. Zakonet që mbushin jetën tonë të përditshme, duke përfshirë përdorimin e telefonit, mund të ndikojnë në rrezikun e kancerit.
Kanceri është një sëmundje që shfaqet kur qelizat e ADN-së fitojnë aftësinë për t’u shumuar dhe për t’u bërë mashtrues. Sëmundja ka shumë shkaqe të njohura, por shumë janë anashkaluar në jetën e përditshme.
Në një studim të vitit 2018 të botuar në revistën Environmental Health Perspectives, studiuesit zbuluan se ekspozimi ndaj niveleve të larta të dritës së kaltër në natyrë gjatë natës mund të rrisë dyfish rrezikun e kancerit të prostatës.
Drita e kaltër besohet se është më e dëmshme për shëndetin e njeriut për shkak të intensitetit të saj. Ajo ka një gjatësi vale më të shkurtër se dritat e tjera në spektrin e dukshëm, që do të thotë se lëshon më shumë energji se dritat e tjera të dukshme.
Sipas Dr. Deborah Lee, një studim spanjoll i vitit 2020 dha prova të mëtejshme të efekteve të dëmshme të dritës së kaltër në shëndetin tonë.
Ajo shpjegoi: “661 pacientë me kancer të zorrëve u krahasuan me 1,322 kontrolle. Autorët llogaritën, duke përdorur të dhëna për ekspozimin artificial gjatë natës nga monitorimi satelitor, se ekspozimi ndaj dritës së kaltër rrit rrezikun e kancerit të zorrëve me 60 për qind”.
“Drita e kaltër është lidhur me një rritje të incidencës së kancereve të tjera, si kanceri i gjirit dhe i prostatës. Punëtorët me turne të vonuara janë në një rrezik të shtuar të kancerit të gjirit”. Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se drita e kaltër ka një efekt domino në disa mekanizma biologjikë në trup, siç është prodhimi i melatoninës.
Kufizimi i melatoninës ndikon drejtpërdrejt në ciklin gjumë-zgjim, i njohur gjithashtu si ritmet cirkadiane të trupit. Për më tepër, ekspertët kanë theksuar prej kohësh rëndësinë e trajtimit të ritmeve cirkadiane në studimet mbi kancerin.
“Drita e kaltër është e njohur për parandalimin e lirimit të hormonit të gjumit melatonin. Melatonina bën shumë më tepër sesa thjesht nxit gjumin”, shpjegoi doktor Lee. “Ajo rregullon ritmet cirkadiane, të cilat janë jetike për të sinkronizuar proceset qelizore të trupit tuaj”.
Ritmi cirkadian përshkruan një grup sistemesh të brendshme që diktojnë ndryshime fizike, mendore dhe të sjelljes që pasojnë një cikël 24-orësh. Për shkak se ky sistem i brendshëm është i lidhur ngushtë me rrugët e përfshira në homeostazë dhe metabolizëm, ndërprerjet e orës mund të nxisin fillimin dhe përparimin e kancerit.
“Mund të jetë që rritja e ekspozimit ndaj dritës së kaltër– dhe telefonat celularë lëshojnë dritë të kaltër– është me të vërtetë një faktor rreziku për kancerin, përfshirë kancerin e zorrëve”. Prandaj, shmangia e përdorimit të telefonit vonë natën mund të jetë e nevojshme për të ruajtur rregullsinë në orën e brendshme të trupit. /Telegrafi/