Liga e Kombeve ka qenë një garë jashtëzakonisht interesante dhe e mirëpritur nga Kombëtaret evropiane.
Ky format i krijuar nga UEFA ndanë në katër Divizione ekipet kombëtare ku formohen grupe, ndërsa fituesit e divizioneve fitojnë një biletë për në kampionatin evropian.
Kosova pasi ishte fituese e grupit në Divizionin D, ka kaluar në gjysmëfinale të këtij divizioni dhe synon një vend në Euro 2020.
Dardanët janë kualifikuar në Divizionin C dhe tani ndodhen në vazon e dytë të këtij divizioni.
Në anën tjetër në të njëjtin divizion ndodhet edhe Kombëtarja e Shqipërisë dhe të dyja shtetet mund të vendosen në të njëjtën grup, pasi kuqezinjtë janë në vazon e parë.
Përveç Shqipërisë, në vazon e parë janë edhe Greqia, Mali i Zi dhe Gjeorgjia, ndërsa në vazon e dytë përveç Kosovës janë edhe Maqedonia e Veriut, Bjellorusia dhe Qipro.
Në vazon e tretë janë Sllovenia, Estonia, Lituania dhe Luksemburgu, ndërsa në vazon e katërt Armenia, Azerbajxhani, Kazakistani dhe Moldavia.
Shorti për grupet e Ligës së Kombeve do të hedhet më 3 mars të vitit të ardhshëm në Holandë. /Telegrafi/