Përballja me pandeminë COVID-19 do të jetë sfida kryesore që do të përballet Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.
Përveç përballjes me pandeminë, sfidë për Qeverinë Kurti do të jetë edhe luftimi i korrupsionit dhe çështja e papunësisë, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në vend.
Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për Telegrafin se Qeveria Kurti duhet të merret me sigurimin e vaksinave antiCOVID.
“Sfida që do të përballet Qeveria është përballja me pandeminë COVID-19, sigurimi i vaksinave dhe e dyta do të jetë përballja me efektet që kjo pandemi në vazhdimësi është duke i treguar. Nga raportimet duhet të shihet gjendja se si është në sektorin e shëndetësisë, nëse ne kemi mjaftueshëm teste, si do të bëhet vaksinimi, a ka nevojë për staf mjekësor, duke ditur se pandemia është duke zgjatur që një kohë të gjatë”, është shprehur Krasniqi.
Tutje, Krasniqi përmendi edhe disa nga temat që duhet të jenë prioritet për Qeverinë Kurti.
“Në anën tjetër, ashtu siç e ka deklaruar edhe kryeministri Albin Kurti, çështja e drejtësisë, çështja e punësimit duhet të jenë primare po ashtu rimëkëmbja ekonomike. Do të merren po ashtu edhe me zgjedhjen e personave të ndryshëm nëpër borde që kanë mbetur të pa zgjedhura nëpër institucione si p.sh AKI etj, që nuk kanë shefa të zgjedhur. Po ashtu edhe politika e jashtme, ne presim nga Qeveria që të ndërtojnë një strategji më ndryshe, edhe për dialogun me Serbinë”, thotë mes tjerash ajo.
Edhe analisti Artan Demhasaj konsideron se për Qeverinë prioritet duhet të jetë sigurimi i vaksinave antiCOVID.
“Prioritet mendoj se duhet me qenë çështja që lidhet me pandeminë COVID-19, sigurimi i vaksinave dhe vaksinimi i popullatës, edhe njëkohësisht edhe çështjet që lidhen me ekonominë dhe pasojat që i kanë lënë pandemia COVID-19 në ekonominë kosovare. Pra, fokusi i Qeverisë duhet me qenë mbështetja për biznese për me përballu këtë situatë, kjo mendoj se duhet me qenë prioritet i parë”, deklaroi Demhasaj për Telegrafin.
Demhasaj shton më tej se Qeveria duhet të fokusohet edhe në luftën kundër korrupsionit dhe reformimin e sistemit të drejtësisë.
“Pastaj prioritet tjetër pa dyshim se duhet me qenë lufta kundër korrupsionit që lidhet me reformimin e sistemit të drejtësisë, që është procesi i Vettingut, pastaj ta rrisin numrin e të punësuarve, pra të zvogëlohet numri i papunësisë që është. Sa i përket sfidave, mendoj që pa dyshim do të jetë dialogu, duam apo nuk duam ne kemi pasur ftesa menjëherë nga Brukseli dhe Washingtoni për me arrit një marrëveshje me Serbinë, kështu që mendoj se kjo do të jetë më së shumti sfidë për Qeverinë”, pohon ai.
Theksojmë se Qeveria e re është votuar më 22 mars. Pro formimit të Qeverisë kanë votuar 67 deputetë, kurse kundër kanë qenë 30.
Qeveria Kurti ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri.
Në mbledhjen e parë të Qeverisë, Kurti ka thënë se s do të punojnë si ekip dhe rezultati do të varet nga secili prej ministrave.
“Sfidat janë të mëdha. Përtej veprimeve urgjente nevojitet edhe menaxhimi i pandemisë. Duhet të veprojmë shpejt që të ndalim humbjet financiare nga kompanitë publike por dhe të ndalim recensionin ekonomik, duke ndihmuar sektorin privat që të shpëtojnë vendet e punës dhe prodhimin …. Pres që në tavolinën time të vijë urgjent si plani për menaxhimin e pandemisë, po ashtu edhe plani për ringjalljen ekonomike”, tha Kurti.
Ky është Kabineti Qeveritar: