Telegrafi

Për vrasjen e gruas në Llaushë, Haxhiu kërkon masa urgjente ndaj prokurores dhe mbrojtëses së viktimave

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, edhe njëherë ka reaguar lidhur me vrasjen e gruas në Llaushë të Skenderajt, duke kërkuar masa urgjente ndaj prokurores kujdestare dhe zyrtares për mbrojtjen e viktimave.

Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se prokurorja e ka lënë dhunuesin e lirë, derisa mbrojtësja e viktimave ka kërkuar që lënda t’i dërgohet me e-mail, në vend se të takohej me viktimën në kohën sa ajo ishte në polici.

“Sipas informatave zyrtare, prokurorja kujdestare ka kërkuar që rasti  të kualifikohet si ‘Dhunë në Familje’ por edhe përkundër kësaj kishte kërkuar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt pra që dhunesi të mbetet i lirë!”, thuhet në reagimin e ministres Haxhiu, transmeton Telegrafi.

Më tej ajo ka thënë se “edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme që të mos ketë tolerancë ndaj rasteve të dhunës në familje pra që dhunuesit të shkojnë prapa grilave, sërish neglizhohen këto raste të ndjeshme”.

Lexo po ashtu “Nxori armën nga xhepi i jaknës dhe e goditi gjashtë herë” - Prokuroria kërkon paraburgim për burrin që dyshohet se vrau gruan në Llaushë

“Ndërsa mbrojtësja e viktimave paska kërkuar dërgim me email të lëndës në vend se të shkonte tek viktima sa ishte në polici”.

“Dy gra që është dashur të veprojnë për të mbrojtur  jetën e tani të ndjerës dhe asnjëra nuk i ka kryer detyrat prandaj duhet të ndërmerren masa urgjentisht!”, ka shkruar Haxhiu.

Haxhiu më herët përmes një postimi tjetër në Facebook, tha se për vrasjen në Llaushë të Skenderajt janë përgjegjës institucionet, ku tha se përveç dënimit për vrasësin, masa duhet të ndërmerren ndaj të gjithë atyre që sipas saj nuk mbrojtën jetën e të ndjerës. /Telegrafi/