Site icon Telegrafi

Për herë të parë në karrierë, Varane mund të luajë jashtë Evropës

Inter Miami raprtohet se ka shprehur interesim për të nënshkruar me ish-lojtarin e Real Madridit dhe Manchester United, mbrojtësin Raphael Varane.

Sipas The Mirror, ekipi me pronar David Beckham është i etur që ta sjellë reprezentuesin francez në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë verë.

Varane momentalisht është lojtar i lirë pasi u largua nga “Djajtë e Kuq” në fund të sezonit 2023/2024 pas skadimit të kontratës së tij.

31-vjeçari kishte pësuar disa lëndime të ndryshme në sezonin e tij të fundit në “Old Trafford” dhe ishte paraqitur në vetëm 32 ndeshje në të gjitha garat.

Ai sidoqoftë ishte përfshirë në formacionin startues në finale të FA Cup aty ku mposhtën rivalin Manchester City me rezultat 2-1 për të fituar trofeun.

Përkundër shqetësimeve për gjendjen e tij fizike, klubi amerikan është i gatshëm që ta shtojë një tjetër lojtar me eksperiencë në radhët e tyre.

Në rast se Varane vendos të transferohet në Amerikë, ai do të kishte mundësinë që të luante së bashku me ish-yjet e Barcelonës, Lionel Messi, Sergio Busquets, Luis Suarez dhe Jordi Alba.

Francezi më herët ishte lidhur edhe me një kalim të mundshëm në Meksikë tek Tigresi andaj mbetet të shihet nëse ai do ta konsiderojë të luajë jashtë Evropës për herë të parë në karrierën e tij./Telegrafi/

Exit mobile version