Njësiti Special Intervenues (NJSI) dhe Sindikata e Policisë së Kosovës kanë nisur protestën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, para mediave shpalosi 15 kërkesat e tyre për Qeverinë e Kosovës, transmeton Telegrafi.
Siç tha Zeqiri, kërkesat e tyre janë legjitime dhe kërkojnë nga Qeveria zgjidhja sa më të shpejtë.
“Kemi adresuar kërkesa me shkrim dhe kemi pasur takime me qeveritarë dhe kemi paraqitur kërkesa verbale dhe kemi dërguar në Kuvend një peticion me pakënaqësitë të policisë së Kosovës.
Policia çdo here ka qenë dhe është e përkushtuar në mbrojtje të Kosovës, bazuar në ligjet tona. Kërkojmë të plotësohen kërkesat legjitime të Policisë së Kosovës”, tha .
Kjo është hera e dytë që Njësiti Special Intervenues proteston dhe shpalos kërkesat e tyre për shtesat për rrezikshmëri.
Ata kishin protestuar para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës më 1 nëntor, duke kërkuar ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.
Sipas propozimit të Qeverisë, shtesat për NJSI-në janë rreth 150 euro, ndërsa në kërkesë policët kanë thënë se ajo duhet të caktohet në vlerë prej 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës. /Telegrafi/