Telegrafi

Për ta luftuar korrupsionin, Kosovës i duhet Ligji Anti-Mafia

Kuvendi i Kosovës vazhdon të mos e ketë edhe më tutje ligjin tashmë të shumë përfolur “Anti-Maifa”, i cili rregullon shumë çështje që kanë të bëjnë me fitimin e pasurisë në mënyrë të paligjshme e që njëkohësisht është njëra ndër kërkesat e dala nga disa raporte të Komisionit Evropian.

Ndonëse Qeveria thotë se i njëjtë me të është Ligji që tash e tri vite është funksional në Kosovë, “Ligji për Zgjerimin e Kompetencave për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar me Vepër Penale”, për opozitën, shoqërinë civile, e madje edhe përfaqësues të ambasadave në vendin tonë, vendi duhet të ketë sa më parë ligjin me emërtimin “Anti- Mafia”, me çka edhe sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë do të bëhej me procedura më të përshpejtuara.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i pyetur nga KosovaPress se pse ende nuk kemi një ligj të tillë, ka thënë përmes një mesazhi telefonik se në Kosovës ndonëse nuk ekziston ligji Anti-Mafia, është ligji tjetër që kryen funksionin e njëjtë por me emërtim ndryshe.

Por, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, për KosovaPress ka thënë se mungesa e një pako ligjore kundër korrupsionit po ndikon në mos luftimin e kësaj dukurie. Sipas saj, nxjerrja sa më parë e ligjit Anti-Mafia, do të luftonte korrupsionin dhe pasurimin e zyrtarëve shtetërorë në mënyrë të paligjshme. Po për të sjell një ligj të tillë, Haxhiu thotë se ka mungesë të vullnetit politik.

“Qeveritarët e korruptuar asnjëherë nuk mund të adresojnë çështje që dalin kundër vetes. Nëse do të bënin thirrje për të nxjerr ligji Anti- Mafia, atëherë do ta luftojnë vetën, sepse zyrtarët e korruptuar e kanë bërë pasurinë brenda natës”, tha Haxhiu.

Hartimin e këtij ligji po e sheh të largët Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Zëdhënësi i saj, Ernest Luma, thotë se “përderisa njerëzit e pushteti jo vetëm që janë të lidhur me mafien, ata janë vet mafia”.

“Deri në momentin kur kjo mafi që fatkeqësisht i posedon numrat – edhe në institucione e edhe në Kuvendin e Kosovës – ligjet kundër korrupsionit e krimit të organizuar janë larg”, tha Luma.

Nevojën për përdorim të një ligji të tillë e ka parë edhe ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Robert Bosch. Ai, në një intervistë të realizuar më parë në KosovaPress, pati thënë se ligji Anti-Mafia duhet sepse i bënë njerëzit të kuptojnë se nuk mund të bëjnë çfarë të duan dhe se nuk mund të kenë diçka të cilën nuk mund ta arsyetojnë.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, pati prezantuar shifrat e dala si rezultat i konfiskimeve të përkohshme dhe të përhershme , duke thënë se këtij sistemi do t’i kishte ndihmuar Ligji Anti-Mafia, sepse për çdo dyshim për rritje të pasurisë organet e ndjekjes do ta kishin më të lehtë të fillonin hetimet.