Site icon Telegrafi

Për një vit Kosova regjistroi mbi 76 mijë raste me COVID-19

Në njëvjetorin e paraqitjes së rasteve të para me COVID-19, Kosova regjistroi edhe 578 raste të reja me coronavirus.

Të shtunën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovë, po ashtu njoftoi se nga sëmundja COVID-19 kanë humbur jetën edhe tetë pacientë.

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 2 raste (92, 84 vjeç), Gjakovë 1 rast (70 vjeç), Gjilan 1 rast (71 vjeç), Klinë 1 rast (83 vjeç), Rahovec 1 rast (74 vjeç), Viti 1 rast (64 vjeç), Vushtrri 1 rast (67 vjeç)”, thuhet në njoftim.

Për një vit, Kosova në total ka regjistruar 76.688 raste pozitive me coronavirus. Nga ta, 1.696 raste kanë përfunduar me fatalitet.

Lexo po ashtu Lufta kundër “armikut të padukshëm”, gjithçka që ndodhi në Kosovë gjatë vitit të pandemisë COVID-19

Numri i personave që kanë mposhtur sëmundjen COVID-19 është 64.362, ndërkaq raste aktive janë 10.630.

Së fundmi, Kosova ka regjistruar rritje të rasteve me coronavirus. Përkundër kësaj, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti më 11 mars deklaroi se masat e njëjta, kundër pandemisë, do të mbesin në fuqi.

Kosova, është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka siguruar ende asnjë dozë të vaksinës kundër coronavirusit. Qeveria në detyrë ka deklaruar se në fund të marsit pritet të arrijë kontingjenti i parë i vaksinave nga programi COVAX.

Nga COVAX-i, që është program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Kosova pritet të sigurojë në total 100.800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania britanike AstraZeneca në bashkëpunim me Universitetin e Oxford-it.

Exit mobile version