Telegrafi

Për një javë konfiskohen 23 patentë shoferë në Gjilan

Drejtoria Rajonale Gjilan, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor (NJRKRr) dhe Stacionet Policore të DRP, në Gjilan gjatë periudhës kohore 08-14.07.2022 kanë shtuar aktivitete në zonën e përgjegjësisë që mbulon shtatë komuna, ku janë konfiskuar 23 patentë shoferë.

Sipas një njoftimi, policia në këtë aktivitet ka shqiptuar në total edhe 1,495  gjoba për kundërvajtje të ndryshme si: mos respektimi i shpejtësisë, tejkalim në vijë të plotë, drejtimi  nën ndikimin e alkoolit, drejtimi i mjetit pa patentë shofer, mos mbajtja e distancës, gjendja jo e rregullt teknike e automjetit, skadimi i afatit të regjistrimit, përdorimi i telefonave mobil, xhamat e errët, mos brezit të sigurisë (rripit) etj.

“Gjatë kësaj jave nga NJRKRr dhe Stacionet Policore janë ndërmarr aktivitete në: Hetim i njëzet e dy aksidenteve të komunikacionit me dëme materiale dhe 16 aksidente të komunikacionit me të lënduar. Janë konfiskuar 23 patentë shofer. Fushata vetëdijësuese si, ‘Festo me zemër, jo me armë’, ‘Të kujdesemi për sigurinë’, ‘Mos ndez zjarr, mos shkakto rrezik të përgjithshëm’, ‘Mos i leni çantat e dorës në vetura, mos i leni portofolët në vetura, mos i leni celularët në vetura”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, inkurajon mediat dhe qytetarët që për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë stacionin më të afërm të policisë, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë dhe numrat kujdestarë:192; 03850807001″. /Telegrafi/