Avio-kompania irlandeze që operon me çmime të ulëta, “Ryanair”, ka vendosur të nis operimin edhe me fluturime tej-oqeanike — dhe biletat për to mund të kushtojnë vetëm 10 funte, raporton “the Guardian”.
Bordi i kompanisë ka aprovuar planet për nisjen e fluturimeve nga 14 destinacione në Evropë për në SHBA dhe ky plan bën pjesë në strategjinë pesë-vjeçare për zhvillim.
Qytetet që do të lidhen me Evropën përfshijnë New Yorkun, Bostonin dhe Chicagon. Kjo linjë e gjatë disa orëshe e kompanisë ka gjasa të nisë brenda 4-5 vjetësh.
Avio-kompania ka bërë me dije se është në bisedime me prodhues të aeroplanëve për të blerë transportues të përshtatshëm për këto udhëtime – aktualisht, kompania kryen vetëm udhëtime të shkurtra dhe mesatare, andaj do t’i duheshin aeroplanë më të mëdhenj për udhëtime mbi Atlantik.
Sipas “the Guardian”, CEO i Ryanair, Michael O’Leary, ka goxha kohë që ka provuar ta nisë këtë shërbim. Kjo linjë e fluturimeve tejoqeanike aktualisht është e dominuar në masë të madhe nga “British Airways” dhe “American Airlines”.
Ata që i kanë shfrytëzuar shërbimet e Ryanair, e dinë se gjithçka përpos biletës paguhet: nga ushqimi tek pijet, tarifat për valixhe si dhe pagesa për pothuajse gjithçka tjetër. Pas parasysh këtë, oferta prej 10 funtesh për një biletë tej-oqeanike vështirë se do ta mbajë atë kosto. Megjithatë, “The Telegraph” i ka bërë disa kalkulime dhe ka arritur në shifrën prej 185.20 funtesh për një biletë kthyese, duke i mbuluar kostot e sipërpërmendura.
Ky çmim është shumë më i ulët në krahasim me konkurrentët tjerë që fluturojnë me çmime të ulëta mbi Atlantik. “Air Shuttle” e Norvegjisë fluturon nga Londra për në SHBA me një çmim prej rreth 300 funtesh – pa valixhe.