Telegrafi

Pepe iu bashkua Arsenalit për një shumë rekorde, por ai vite më parë ëndërronte kalimin te Chelsea

Nicolas Pepe është bërë transferimi më i shtrenjtë në histori të Arsenalit.

Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë iu bashkua Topçinjve nga skuadra franceze Lille për 80 milionë euro.

E me këtë transferim të sulmuesit janë gëzuar tej mase tifozët e Arsenalit, por jo edhe aq pasi ta shohin një intervistë disa vite më parë të Pepes.

24-vjeçari kishte deklaruar se rivali lokal i Arsenalit, Chelsea është klubi i ëndrrave të tij.

“Chelsea është klubi që më bën të ëndërroj, i vetmi klub në Angli që do të firmosja”, kishte deklaruar Pepe në një emision televiziv.

Video është shpërndarë jashtëzakonisht shumë në rrjetet sociale, me tifozët e klubeve tjera që po i tallin ata të Arsenalit për yllin e tyre.

Pepe u kërkua edhe nga Chelsea, por klubi londinez nuk kishte të drejtë të bënte transferime pas dënimit nga FIFA. /Telegrafi/