Telegrafi

Pensionisti ukrainas arrin që me pushkë automatike, ta rrezojë aeroplanin luftarak rus Su-36 që kushton 90 milionë dollarë

Një pensionist ukrainas ka arritur ta rrëzojë aeroplanin luftarak rus Su-36 me pushkë automatike, ka njoftuar qeveria ukrainase.

Valeriy Fedorovych kishte hapur zjarr mbi fluturaken e armikut, që po fluturonte mbi kokën e tij në Chernihiv, transmeton Telegrafi.

Raportohet se ai ka rrëzuar aeroplanin që kushton 90 milionë dollarë, kurse pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale, pretendohet se shfaqin momentin kur fluturakja rrëzohet edhe pse vet protagonisti nuk shihet në video.

Policia dhe ushtria kufitare kanë nderuar pensionistin me medalje për trimërinë e treguar. Madje ai është cilësuar si sinonim i rezistencës dhe mbrojtjes së vendit nga forcat pushtuese.

Në video shihet Fedorovych duke ecur me pushkë në kraharor, përmes qytetit që është shkatërruar nga bombardimet ruse. E si “trofe” po mban në garazhin e tij disa copëza të fluturakes së rrëzuar ruse.

Ai është një nga shumë ukrainas që kanë kryer veprime të tilla që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë – duke u aktivizuar të gjithë në mbrojtje të vendit. /Telegrafi/