Site icon Telegrafi

Pengmarrje dhe të shtëna armësh në Keln, policia gjermane evakuon zonën përreth (Foto/Video)

Në stacionin kryesor të trenave në Keln të Gjermanisë kanë ndodhur disa të shtëna, kurse situata është duke u komplikuar edhe më shumë pasi një pengmarrje është duke ndodhur në këto momente.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë forca të shumta të policisë të armatosur deri në dhëmbë, kurse së bashku me ta janë shfaqur edhe ekipet negociuese, transmeton Telegrafi.

Policia gjermane ka konfirmuar në Twitter se kanë ndodhur disa të shtëna dhe një pengmarrje, kurse gjithashtu kanë njoftuar se së bashku me ata janë edhe profesionistët që negociojnë me pengmarrësit.

https://twitter.com/SeanKernow/status/1051806691786981376

Si pasojë e kësaj situate të krijuar është mbyllur dhe evakuuar stacioni kryesor i trenave, kurse qytetarët janë këshilluar që të mos e frekuentojnë këtë zonë derisa policia të konfirmon se është e sigurt.

“Është duke ndodhur një pengmarrje në një lokal ku përgatitet ushqimi i shpejtë, por dyshohet se ai mund të jetë duke ndodhur edhe në një barnatore. Ata po mbajnë peng një grua, por më shumë nuk kemi detaje”, ka deklaruar për Reuters, zëdhënësja e policisë gjermane në Keln.

Mediat lokale raportojnë se e gjithë zona përreth është mbushur në forca të shumta të policisë që janë të armatosur me armë të gjata, kurse stacioni është evakuuar dhe më pas mbyllur për shkaqe sigurie.

E përditshmja gjermane Bild, shkruan se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë për intervenim të shpejtë dhe ato të anti-terror. Kompania që menaxhon stacionin kryesor të trenave “Deutsche Ban”, ka njoftuar se ka anuluar të gjithë linjat hekurudhore që kalojnë përmes këtij stacioni. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version