Me më shumë se 55 mijë vota më shumë se kundër kandidatja e tij Gordana Siljanovska, kandidati i partive në pushtet Stevo Pendarovski mbrëmë shpalli fitoren në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Urimet e para për Pendarovskin erdhën nga presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, komisari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johannes Hahn, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, kancelari austriak, Sebastian Kurz, si dhe personalitete tjera, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Urime Stevo Pendarovskit në zgjedhjen e tij si president i Maqedonisë së Veriut. Pres të vazhdojë bashkëpunimi me agjendën reformuese të BE-së, në kontekst të përfundimeve të Këshillit vitin e kaluar”, shkruan Hahn.
Ndërsa presidenti i Shqipërisë Ilir Meta pret që me fitoren e Pendarovskit të forcohet perspektiva euroatlantike e rajonit.
“Shumë urime Stevo Pendarovskit për fitoren në zgjedhjet e sotme presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Besimplotë për bashkëpunimin e shkëlqyer në të ardhmen, jo vetëm midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por edhe për forcimin e perspektivës euroatlantike të rajonit. Shpresoj të takohemi së shpejti!”, ka shkruar Meta.
Stoltenberg pret që të punojë me Pendarovskin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut si anëtarja e 30-të e NATO-s.
“Urime Stevo Pendarovskit për fitoren në zgjedhjet presidenciale, me padurim pres të punojë për pranimin tuaj si anëtarja e 30-të e NATO-s”, ka shkruar Stoltenberg.
Kurse kancelari austriak Kurz, thotë se do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE.
“Urime për presidentin e ri të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Do të vazhdojmë ta mbështesim vendin tuaj drejt anëtarësimit në BE”, ka shkruar Kurz.
Ndryshe, sipas KSHZ-së nga 98 përqind e votave të përpunuara, Pendarovski ka fituar 423.292 vota, ndërsa Siljanovska ka fituar 363.980 vota./Telegrafi/