Sot u mbajtën zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, ku qytetarët zgjodhën kryetarin e shtetit, në mes Gordana Siljanovska-Davkova dhe Stevo Pendarovskit, njofton Telegrafi Maqedoni.
Censusi i duhur prej 40% pjesmarrje në zgjedhje nga 1,808,131 votues u arrit dhe kjo tregon se zgjedhja e presidentit është legjitime.
Në rrethin e dytë garuan Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska-Davkova.
Nga pasqyra e hartës shtetërore për zgjedhjet, shihet qartë se në vendvotimet ku ka masë të konsiderueshëm të shqiptarëve fitore ka marrë Stevo Pendarovski.
Telegrafi ju sjell votat e kandidatëve me mbi 95% e votave të numëruara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) prej gjithësejt 1.808.131 votues që janë në Listën zgjedhore.
Gordana Siljanovska Davkova ka fituar: 350.471 vota apo 44,98% të votave të numëruara.
Stevo Pendarovski ka fituar: 410.970 vota apo 52,04% të votave të numëruara.
Vota të pavlefshme: 28.324 apo 3,58%
Pendarovski është kandidat i propozuar nga LSDM-ja e Zoran Zaevit ndërsa është mbështetur nga BDI-ja e Ali Ahmetit, PDSH-ja e Menduh Thaçit dhe Alternativa e Afrim Gashit. Gjithashtu, ai ishte mbështetur edhe nga parti tjera minore, nga komunitete të ndryshme në Maqedoni.
Procesi zgjedhor sipas gjithë palëve vëzhguese ishte korrekt, demokratik dhe i qetë. Këto janë zgjedhjet e pesta presidenciale në Maqedoni dhe të parat pas ndryshimit të emrit të shtetit. Kryetarë të mëhershëm ishin, Kiro Gligorov, Boris Trajkovski, Branko Crvenkovski dhe Gjorge Ivanov. /Telegrafi/