Ish-drejtuesi i China Life Insurance, Wang Bin është bërë shefi më i fundit i profilit të lartë që është burgosur, derisa Pekini po vazhdon të godas industrinë financiare në vend.
Wang në fillim ishte dënuar me vdekje me një shtyrje të ekzekutimit prej dy vjetësh, mirëpo vendimi është ndryshuar me burgim të përjetshëm pa lirim me kusht.
Një gjykatë në provincën Shandong të Kinës lindore e kishte shpallur Wangun fajtor me pretendimin për marrjen e 44.6 milionë dollarëve në formë të ryshfetit.
Ai është shefi i fundit nga një institucion i madh financiar kinez që është futur në grackën e goditjes të nxitur nga presidenti Xi Jinping.
Në vitin 2021, Lai Xiaomin, ish-drejtuesi i Huarong – një prej kompanive më të mëdha të menaxhimit të aseteve të kontrolluara nga shteti në Kinë – u ekzekutua pasi u shpall fajtor për korrupsion dhe bigami.
Në të njëjtin vit, ish-guvernatori i Bankës Zhvillimore të Kinës, Hu Huaibang u dënua me burgim të përjetshëm për ryshfet.
Bao Fan, një nga bankierët miliarderë më të profilit të lartë të vendit dhe shefi ekzekutiv i China Renaissance Holdings, po “bashkëpunon në një hetim që po kryhet nga autoritetet” që nga zhdukja e tij në shkurt të këtij viti.
Në muajin mars, kishte nisur një hetim ndaj drejtuesit të Partisë Komuniste brenda Bankës së Kinës, Liu Liange, i cili dyshohet kinse për “shkelje të rënda të disiplinës dhe ligjit”.
Autoritetet kineze thanë se nga muaji prill po e hetonin Li Xiaopengun, ish-kryetar i firmës shtetërore të menaxhimit të aseteve China Everbright Group.
Derisa zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kinës, Fan Yifei u arrestua për ryshfet dhe po përballet me një hetim penal dhe se është përjashtuar nga Partia Komuniste. /Telegrafi/