Telegrafi

Peja-Prishtina dhe Ylli-Bashkimi, skuadrat fituese kualifikohen në gjysmëfinale

(Foto: basketbolli.com)

Të premten (nesër) do të zhvillohen ndeshjet e treta çerekfinale të ‘play-offit’ në Five Star Superligën e Kosovës në basketboll dhe kush fiton do të kualifikohet në gjysmëfinale.

Klasikja e basketbollit të Kosovës mes Pejës dhe Sigal Prishtinës do të përcaktojë gjysmëfinalistin e parë. Pejanët fituan ndeshjen e parë 106-77, ndërsa në takimin e dytë fituan prishtinasit 93-92.

Në gjysmëfinale i pret Ponte Prizreni, që e përfundoi kampionatin në vendin e parë.

Çerekfinalja tjetër është ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Bashkimit. Në sfidën e parë fituan prizrenasit pas vazhdimeve 79-94, ndërsa në përballjen e dytë fituan therandasit 76-89.

Kush fiton të premten do të kualifikohet në gjysmëfinale, ku i pret Rahoveci, që përfundoi garat e rregullta në vendin e dytë.


Orari

E premte

17:00 Peja – Sigal Prishtina 1-1

20:15 Golden Eagle Ylli – Bashkimi 1-1