Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj pas takimit me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti dhe u.d e presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se ishte një takim shumë i mirë.
Hoxhaj u shpreh se si temë kryesore ka qenë koordinimi dhe bashkëpunimi për temat e politikës së jashtme.
“Kemi kërkuar qartësi për qasjen e tyre në raport me politikën e jashtme, meqë presidenti i ardhshëm ka rol në përfaqësimin tonë, dhe qeveria luan rol të rëndësishëm në krijimin e politikës së jashtme. Para se ta marrim vendimin në organet e PDK-së, varet prej 10 qëndrimeve që kemi ngrit në takim”, ka thënë Hoxhaj, shkruan Telegrafi.
Në mesin e këtyre qëndrimeve që kanë paraqitur PDK, Hoxhaj ka thënë se janë dialogu Kosovë-Serbi, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, çështja e minishengenit etj.
Ai ka shtuar se ky ishte një takim pas kërkesës së PDK-së, që formimi i institucioneve mund të ndodh vetëm me një dialog në mes pozitës e opozitës.
“Qasja ka qenë konstruktive dhe parimore, kemi pas kërkesa dhe çështje të qarta që i kemi ngrit në këtë takim. Së pari në mendojmë se në procesin e krijimit të institucioneve para se të flitet për personin se kush duhet të jetë president, duhet të flitet për parime …”, u shpreh Hoxhaj.
Hoxhaj shtoi se Kosova ka nevojë për stabilitet dhe qartësi politike.
“Kemi nevojë për lider institucional që e bashkojnë skenën politike”, tha Hoxhaj. /Telegrafi/