Telegrafi

PDK e procedon sot në Kuvend Projektligjin për pensionimin e zyrtarëve policorë  

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës sot në një konferencë për media bën të ditur se do të procedojnë në Kuvend nismën për hartimin e Projektligjit për pensionet e zyrtarëve policorë dhe për punonjësit e Inspektoratit policor me autorizime policore.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se nisma për hartimin e këtij projektligji është bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe se është e domosdoshme pasi mosha mesatare e policëve është 47 vjeç.

“Jemi këtu për të njoftuar se në emër të Grupit parlamentar të PDK-së kemi marr nismën për hartimin e Projektligjit për pensionet e zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe punonjësve të Inspektoratit Policor me autorizime policore.

Duke e ditur se Policia e Kosovës është më e reja e themeluar në Evropë ajo fatkeqësisht nuk është e re në moshë. Tani zyrtarët e Policës së Kosovës arrijnë moshën mesatare 47 vjeç andaj është e domosdoshme të bëhet shqyrtimi i këtij projektligji në afatin sa më të shkurtër kohor”, tha ajo, raporton Telegrafi.

Musliu bëri të ditur se krahas draftit të projektligjit kanë përgatitur edhe memorandumin shpjegues të këtij projektligji, kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme dhe sot zyrtarisht do ta procedojnë në Kuvendin e Kosovës.

Sipas saj, me këtë ligj do të rregullohen kushtet dhe kriteret e pensionimit, llojet e pensioneve, kategorizimet etj. Ajo po ashtu theksoi se PDK ka bërë edhe deklaratën financiare dhe se ky projektligj ka kosto financiare.

Ndërkaq, edhe ish drejtori i Policisë së Kosovës, aktualisht deputet i PDK-së, Rashit Qalaj tha se është e nevojshme që sa më shpejt ky Projektligj të jetë në Kuvend.

“Arsyeja kryesore është që Policia e Kosovës të fitojë energji të reja, të jetë një polici më dinamike dhe më efikase dhe kjo bëhet nëse përtërihet organizata”, tha ai.

Sipas tij, mosha mesatare e Policisë është 47 vjeç dhe kjo përkthyer në shërbime ndaj qytetarit tregon se është e vjetër në moshë.

“Ka shumë policë e police në moshë të shtyrë e që kanë sëmundje të rënda. Kur kombinohet mosha dhe sëmundjet atëherë është e pamundur t’i kryejnë detyrat ashtu siç u kërkohet…”, tha Qalaj.

Sipas tij, edhe njësitet elite të policisë kanë nevojë që të përtërihen gradualisht, e të cilat sipas tij janë ndër njësitet më të mira në rajon.

Ai shpresoi se ky projektligj do të ketë mbështetjen edhe të grupeve tjera parlamentare. /Telegrafi/