Telegrafi

PD: Denoncimi ynë faktoi përfshirjen në drogë të vëllait të Ministrit të Brendshëm i cili u shkarkua

Partia Demokratike përmes një reagimi ka thënë se denoncimi i Partisë Demokratike faktoi përfshirjen në trafik droge të vëllait të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe mbështetjen që i siguronte ai nga funksioni publik.

Sipas PD-së Prokuroria nuk zhgënjeu dhe zyrtarizoi vendimin politik të kryeminsitrit Rama.

“Prokuroria nuk zhgënjeu dhe sot, kur zyrtarizoi vendimin politik të Edi Ramës për marrjen të pandehur të Ervin Salianjit. Asnjë surprizë nuk ka në këtë vendim, ku i akuzuar është denoncuesi dhe jo ai që bën krimin. Denoncimi i Partisë Demokratike faktoi përfshirjen në trafik droge të vëllait të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe mbështetjen që i siguronte ai nga funksioni publik”, thuhet në njoftim.

Sipas reagimit të PD-së, për shkak të këtij denoncimi janë shkarkuar disa zyrtarë.

“Agron Xhafaj, vëllai i Ministrit të Brendshëm, nuk vazhdon të merret më trafik droge, por është në burg në Itali për trafik ndërkombëtar droge. Fatmir Xhafaj u shkarkua si Ministër i Brendshëm, duke mos përdorur më pushtetin e tij politik për të favorizuar të vëllain në trafik droge. Taulant Balla dhe Ardi Veliu u faktuan si manipulatorët e çeshtjes, duke fabrikuar prova e dëshmitarë, me qëllimin e vetëm mbojtjen e Ministrit të Brendshëm dhe vëllait të tj trafikant droge. Vendimi politik i Prokurorisë është paralajmëruar nga Edi Rama që ditën e parë të zbulimit të skandalit nga Partia Demokratike. Akti i sotëm dëshmoi, edhe njëherë se, përsa kohë Edi Rama të jetë në Qeveri, drejtësia i ka duart e lidhura dhe krimi i organizuar do të jëtë i paprekshëm”, thuhet në njoftim.

PD thekson se është e vendosur të denoncojë çdo aferë që siç thuhet në njoftim provon se Qeveria Rama është produkt dhe peng i krimit të organizuar.

“Edi Rama dhe prokuroria e tij politike nuk do t’ia mbyllin dot gojën opozitës! Partia Demokratike është e vendosur të denoncojë çdo aferë që provon se Qeveria Rama është produkt dhe peng i krimit të organizuar”, thekson njoftimi./Telegrafi/