Serbë e shqiptarë të komunave veriore do të kenë mundësi që të zgjedhin kryetarët e tyre të ardhshëm. Pavarësisht rrethanave, ata janë deklaruar të gatshëm të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë. Ndërkohë, ka të tillë që thonë se këto zgjedhje nuk sjellin ndryshim dhe se jeta e tyre nuk varet nga politika
Është i vetmi fshat me shqiptarë në Zubin Potok. Për këtë, në këto zgjedhje janë të bindur të vendosin të japin më të mirën për të zgjedhur kreun e komunës.
Banorët e kësaj ane thonë se jo vetëm në këto zgjedhje, por që nga viti 2002 ata gjithmonë janë pjesëmarrës në votime.
“Do të dalim në zgjedhje, i madh e i vogël, nga mosha 18 vjeç që kanë të drejtë vote. Votimet do t’i kryejmë dhe mendoj që do të jenë me sukses”, ka thënë Aziz Hasani, banor i fshatit Çabër.
Madje sipas Hasanit, shfrytëzimin e të drejtës së votës nuk mund t’ua mohoj askush as përmes frikësimit.
“Siguria nuk është aq në nivelin e duhur, por si sot, nesër apo pasnesër ma merr mendja që kështu ka me qenë. Po unë besoj që këto zgjedhje kemi me i krye me sukses”, ka thënë ai.
E më pesimist për këto zgjedhje duken se janë banorët e Lagjes së Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut.
Si shqiptarët edhe serbët thonë se jeta e tyre nuk varet nga liderët politik, qofshin ata në Kosovë apo në Serbi.
“Prej këtyre zgjedhjeve nuk presim asgjë, po duhet me dal. Nuk e mendojmë na a jemi të sigurt a jo, ne me dal e me ju tregu kismet po”, është shprehur Riza Dushi, banor i Lagjes së Boshnjakëve.
“Unë nuk po fitoj as prej Kurtit as prej Vuciqit, por po fitoj me këta 9 gishta që shkoj e me punu”, ka thënë Jovan Jovanoviq, banor i Lagjes së Boshnjakëve.
Banorët e katër komunave të Veriut të Kosovës më 23 prill do të kenë mundësi të vendosin me votë për fuqinë politikë që do t’i udhëheq në vitet në vazhdim./RTV Dukagjini/