Site icon Telegrafi

Pavarësisht se ishin dorëzuar dhe nuk përbënin rrezik, trupat ruse ekzekutojnë brutalisht dy ushtarë ukrainas me breshëri plumbash

Një video e postuar në rrjetet sociale është dëshmi e ekzekutimit brutal të dy ushtarëve ukrainas, që ishin zënë rob nga forcat e Vladimir Putinit.

Pamjet e filmuara nga droni, shfaq krimet e kryera nga regjimenti rus i njohur edhe më herët për krime të kryera në Ukrainë, transmeton Telegrafi.

Dy ushtarët ukrainase që ishin dorëzuar brenda istikameve, janë vrarë me breshëri plumbash nga ushtarët rusë në afërsi të Robotyne në rajonin e Zaporizhzhia.

Vrasjet kanë ndodhur muajin e kaluar, kurse pamjet janë publikuar tani. Zyra e kryeprokurorit në rajonin e Zaporizhzhia ka deklaruar se kanë filluar hetimet – duke e cilësuar si krim lufte këtë rast.

Videoja është publikuar nga shërbimi sekret ukrainas i njohur si SBU. E ushtarët rusë besohet se janë pjesë e regjimentit të 70-të, që tashmë është nën hetim për krimet e mëparshme të kryera në Ukrainë.

“Vrasja e të burgosurve të luftës janë shkelje flagrante të Konventës së Gjenevës”, u tha nga zyra e kryeprokurorit ukrainas. /Telegrafi/

Exit mobile version