Site icon Telegrafi

Pavarësisht regresit, Lajçak beson në përparimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka ndarë detaje nga takimet që zhvilloi javën e kaluar me kryenegociatorët, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.

Pavarësisht regresit në këtë proces, Lajçak është shprehur optimist për disa përparime për të cilat thotë se janë arritur në disa çështje kyçe.

“Javën e kaluar, unë prita një raund tjetër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në nivel të Kryenegociatorëve, me fokus në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht përmes zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit.

Megjithëse nuk bëmë hapa përpara për këtë, unë jam optimist për disa përparime të arritura në disa çështje të tjera kyçe, të cilat do t’i ndjekim në javët e ardhshme”, ka shkruar Lajçak në një postim në Facebook.

Emisari i BE-së, shprehet se për kompleksitetin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ka diskutuar edhe me drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski.

“Me të diskutuam bashkëpunimin energjetik në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e integrimit në tregun e BE-së në mes të kompleksitetit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi”, ka thënë Lajçak.

Lajçak njoftoi se për procesin e dialogut ka folur edhe me ambasadorin japonez në BE.

“Unë vlerësoj angazhimin afatgjatë të Japonisë në Ballkanin Perëndimor që synon të mbështesë përpjekjet për reforma të rajonit”, ka shkruar emisari i BE-së. /Telegrafi/

 

Exit mobile version