Site icon Telegrafi

Pasojat e coronavirusit, urrejtja ndaj kinezëve është rritur në Britani gjatë krizës së pandemisë së COVID-19

Krimi dhe urrejtja ndaj kinezëve në Britani të Madhe është rritur gjatë pandemisë së coronavirusit, tregojnë të dhënat e policisë britanike, raporton Sky News.

Në tre muajt e parë të këtij viti, gjatë krizës së COVID-19 janë regjistruar të paktën 267 vepra penale, përfshirë sulme, plaçkitje dhe shqetësim, transmeton Telegrafi.

Viktimat kanë treguar se janë sulmuar e goditur nëpër rrugë, pështyrë dhe verbalisht fyer për shkak të coronavirusit, pasi që rasti i parë ishte regjistruar në Kinë.

Përqindja e urrejtjes ndaj kinezëve nga janari deri në mars të këtij vitit ka qenë pothuajse tre herë më e madhe, krahasuar me periudhën e njëjtë kohore të dy viteve të fundit, tregojnë të dhënat e policisë britanike të cilat i posedon Sky News.

Jeremy Wu, student dhe njëherit teknik medicinal që punon në Britani të Madhe, ka deklaruar se është përballur me diskriminim nga disa pacientë dhe kolegë, ku madje një bashkëpunëtorë e ka pyetur se pse nuk po kthehet në vendlindje së bashku me virusin e “tij”.

Wu ka pranuar se para se të flinte nuk mund të ndalte lotët duke i rrjedhur në faqe, kjo për faktin se ndihej i vetmuar dhe nuk kishte me kënd të bisedonte për këtë çështje kaq të ndjeshme.

“Herët apo vonë njerëzit do ta kuptojnë se është qesharake të bësh një lidhje mes pandemisë së virusit dhe një grupi të caktuar, siç janë ata të prekur me HIV/AIDS apo me komunitetin LGBT gjatë viteve të 80-ta”, ka shtuar ai.

Fatin e njëjtë e ka pasur edhe 22-vjeçari Michael Chiu, student në universitetin e Shefield, i cili pranoi se ishte sulmuar për shkak të coronavirusit nga njerëz që po kalonin me vetura dhe e godisnin me fruta të ndryshme.

“Unë kam lindur në Britani të Madhe dhe asgjë nuk kam të bëjë me coronavirusin dhe ajo çfarë është më e rëndësishme virusi nuk bën diskriminime, gjë që këtë njerëzit nuk po e dinë”, ka shtuar ai. /Telegrafi/

Exit mobile version