Gjyljeta Ukella u vra nga bashkëshorti i saj mëngjesin e së martës në qytetin e Pejës. Policia tashmë ka arrestuar të dyshuarin, Edmond Lajqi i cili gjendet në ndalim për 48 orë me vendim të Prokurorit.
Familjarja e viktimës në një lidhje direkte për “Kosova Today” në Klan Kosova, ka treguar se e ndjera ka lënë pas vetes dy vajza dhe një djalë.
Ajo ka treguar se viktima ka mbajtur tre punë për të mbajtur familjen.
“Gjyljeta ka qenë femër shumë e zonja ka pasur tre punë dhe është mundu me të gjitha forcat që ta mbajë familjen. Ajo e ka mbrojtur familjen, fëmijët dhe burrin dhe në fund u sakrifikua vetë për të gjithë”, tregoi familjarja në kushte anonimiteti.
Ajo ka shtuar se e ndjera ka pasur gjithmonë vuajtje, derisa shtoi se pasnesër do të mbushte 43 vjet.
“Bashkëshorti ka qenë pa punë, për një kohë të gjatë ka qenë në depresion, Gjyljeta e ka mbajt afër, është mundu me mjeku me i qëndrua pranë, me dashtë. Ajo ka dy vajza dhe një djalë, pasnesër do t’i mbushte 43 vjet. Nuk kam koment, ma rëndë nuk ka ku me shku për nënën, babanë e motrat e tre fëmijët që ka lënë”, rrëfeu ajo.
Familjarja ka shtuar se komunikimin e fundit me të ndjerën e kishte para dhjetë ditësh.
“Gjyljeta sot në mëngjes është zgjuar e ka pi kafen e mëngjesit dhe ka dashur të shkoj në punë. Fëmijët janë te prindërit e Gjyljetës. Jemi të gjithë të shokuar, sepse ka qenë një grua e mrekullueshme dhe shumë e fortë”, u shpreh familjarja e së ndjerës.
Ajo më tej shtoi se Gjyljeta pavarësisht vuajtjeve nuk u largua asnjëherë nga bashkëshorti i saj.
“Edi Lajqin, Gjyljeta e deshi shumë, dhe nuk deshi asnjëherë me ju nda. Por, ai që e deshi shumë ja mori jetën”, u shpreh familjarja mes lotësh. /Telegrafi/