Telegrafi

Pasi u dënua për protestën live në TV kundër agresionit rus në Ukrainë, flet gazetarja ruse

Marina Ovsyannikova, gazetarja e televizionit shtetëror rus, e cila protestoi gjatë edicionit informativ të lajmeve në Moskë, është gjobitur me rreth 255 euro.

Ajo u akuzua për kundërvajtje administrative sipas ligjeve të protestës së Rusisë. Ishte për shkak të videos që ajo publikoi duke u bërë thirrje të tjerëve të demonstrojnë kundër asaj që Kremlini e quan “operacion special ushtarak” në Ukrainë gjersa gazetarja e cilësonte luftë.

Duke folur jashtë gjykatës, Ovsyannikova tha se “Ishte vendimi im kundër luftës. Këtë vendim e mora vetë sepse nuk më pëlqen fakti që Rusia ka filluar këtë pushtim. Ishte vërtet e tmerrshme”.

“Dua të falënderoj të gjithë për mbështetjen, miqtë dhe kolegët. Kanë qenë disa ditë shumë të vështira në jetën time. Kam kaluar dy ditë pa gjumë. Jam marrë në pyetje për më shumë se 14 orë”, shtoi ajo, raporton bbc.

Ovsyannikova akuzoi autoritetet se ia mohuan ndihmën ligjore. Avokatët e saj gjithashtu thanë në gjykatë se pavarësisht se kërkuan praninë e një avokati gjatë marrjes në pyetje, asaj nuk iu mundësua që të mbrohet nga një avokat për disa orë.

“Nuk më lejuan të kontaktoja me të afërmit dhe miqtë. Ata nuk më lejuan asnjë ndihmë ligjore. Isha në një gjendje të vështirë”, tha Ovsyannikova.

Ndryshe, gazetarja tashmë ka pohuar se do të largohet nga mediumi rus pasi i vjen keq për raportime me qëllime propagandistike që kishte bërë në të kaluarën rreth ngjarjeve rreth Ukrainë, por jo vetëm kaq. /Telegrafi/